Viti 2016 e kërkon angazhimin e të gjithëve për shtetin

Fundi i vitit është koha kur krijojmë distancë nga gjërat rreth nesh, për t’i shikuar nga një perspektivë tjetër, për të krahasuar të sotmen me atë ku ishim, por edhe me atë ku duam të jemi.

Opinion

31/12/2015 14:42

Kur e shohim vitin 2015 nga kjo perspektivë, del se ishte vit i të arriturave të shumta të Kosovës, ndonëse sfidat me të cilat jemi përballur nuk na kanë lejuar t’i shohim shumë ato.

Një zyrtar i lartë nga Londra, në një takim të përzemërt që kishim, kujtoi sesi para vetëm një dekade Kosova po angazhohej që ta bindte bashkësinë ndërkombëtare që të pranonte të diskutohej statusi politik i Kosovës. Dhe tash, vetëm tetë vite më vonë, ne nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke hyrë kështu në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Kjo është mirënjohja më e mirë për zhvillimin e Kosovës në rrafshin e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe instalimit të institucioneve demokratike.

Qeveria që u instalua para një viti vuri në epiqendër ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Kështu, këtë vit, Kosova arriti të tërheq më shumë se një miliard e gjysmë euro investime nga jashtë. E si vlerësim përfundimtar i suksesit të këtij angazhimi erdhi edhe pranimi i Kosovës nga “Millenium Challenge Coroporation” i SHBA-së. Kriteret e rrepta për t’u bërë kandidat për të marrë kredi nga “MCC” dëshmojnë më së miri përparimin e qëndrueshëm që ka bërë Kosova në ekonomi.

Në rrafshin e sundimit të ligjit, institucionet e Kosovës kanë arritur të ndërtojnë, nga zeroja, një kornizë ligjore që garanton një sistem të drejtësisë të pavarur dhe profesional. Ndërsa, në fushën e instalimit të demokracisë, falë marrëveshjeve në Bruksel, Kosova ka arritur të shtrijë shtetësinë e vet edhe në pjesën veriore të vendit, ku tani vlejnë vetëm ligjet e Kosovës.

Përveç konsolidimit të brendshëm, Kosova ka arritur suksese edhe në konsolidimin e jashtëm. Në muajin mars, Kosova ka qenë nikoqire e takimit të ministrave të jashtëm dhe atyre të infrastrukturës nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin u morën vendime të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit. Kurse, në Samitin e Vjenës në muajin gusht, u përmbyllën këto projekte të nisura në Prishtinë.

Kemi vazhduar dialogun me Serbinë, duke dëshmuar pjekuri politike dhe duke e konfirmuar rolin e Kosovës si promovuese të dialogut dhe paqes në rajon. Dialogu dhe bashkëpunimi është në interes të Kosovës, të rajonit dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare që intervenoi për të mbrojtur Kosovën në vitin 1999. Prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare është bërë garant i implementimit të të gjitha marrëveshjeve që arrihen në Bruksel.

Për ne është i mirëseardhur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Parimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që përcakton se marrëveshja nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese qartëson se statuti që do të përpilohet duhet t’i përmbushë zbrazëtitë që ka Marrëveshja e Parimeve si dokument i ndërmjetëm, i cili nuk prodhon efekte ligjore, si dhe të garantojë se do të respektohen parimet e Kushtetutës së Kosovës.

Kemi përfunduar edhe procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi, pasi më parë të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Maqedoninë e Shqipërinë. Kurse, tani na ka mbetur ta përfundojmë vetëm edhe me Serbinë.

Gjithashtu, edhe në kuadër të angazhimit diplomatik kemi pasur një agjendë shumë intensive që na ka mundësuar të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe me shumë vende që kanë njohur Kosovën. Në fokusin e vizitave bilaterale në rajon ishte ndërtimi i një fqinjësie sa më të mirë, ndërsa i atyre në Evropë ishte përshpejtimi i integrimit të Kosovës dhe lobimi për procesin e nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave. Në këto takime kemi nënshkruar edhe shumë marrëveshje dhe sot ne kemi rreth 200 marrëveshje të nënshkruara ndërshtetërore, ku një pjesë e mirë e tyre janë nënshkruar pikërisht gjatë këtij viti.

Kemi marrë pjesë edhe në shumë forume rajonale e ndërkombëtare, prej atyre që promovojnë bashkëpunimin rajonal, si “SEECP” në pranverë, deri te ato që luftojnë ekstremizmin dhe radikalizmin në botë, siç ishte Samiti i Liderëve për Luftimin e ISIL dhe Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, në vjeshtë në New York.

Edhe brenda në Kosovë kemi bërë hapa që kanë pasur jehonë ndërkombëtare. Kemi organizuar për herë të tretë konferencën ndërkombëtare “Inter-Faith Kosova”, me të cilën kemi promovuar Kosovën si shembull për tërë globin për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare.

Me fushatën për anëtarësim në UNESCO, ndonëse nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar, kemi portretizuar një Kosovë tjetër nga ajo çfarë e paraqesin armiqtë e shtetit të Kosovës. Kemi treguar një Kosovë, që ka gjetur forcë të tejkalojë dhimbjet dhe vuajtjet e së kaluarës dhe të kthehet kah e ardhmja në paqe dhe bashkëjetesë, kah një e ardhme më e mirë për të gjithë. E ndonëse nuk u pranuam për tri vota, për diplomacinë e Kosovës ishte sukses i madh sigurimi i përkrahjes së shumicës cilësore të botës për Kosovën. Dhe kjo lë të kuptohet, që diplomacia e Kosovës dhe përkrahësit e shtetin tonë, me punë dhe angazhim kanë bërë që Kosova të jetë e mirëpritur nga shumica e shteteve në botë.

Ngjashëm është edhe me çështjen e liberalizimit të vizave. Kemi plotësuar kushtet edhe pse për Kosovën kanë qenë dy herë më shumë se sa për vendet e tjera të rajonit. Edhe ato që u raportua se i kemi përmbushur pjesërisht, i kemi adresuar dhe tani me të drejtë presim që t’i korrim rezultatet e punës tonë në vitin që po vjen.

Është diskutuar shumë edhe për njohjet. Por, nëse shohim kontekstin gjeopolitik, vërejmë se sa kemi arritur të forcojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar. Kosova është njohur nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s dhe 56 për qind e OKB-së. Është njohur nga 61 për qind e shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe 49 për qind e Unionit Afrikan. Vetëm CIS apo “Komonuelthi Rus” e ka njohur Kosovën me 0 për qind. Pra, po operojmë në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku Kosova ka arritur me sukses të gjejë vendin e vet dhe të bëhet kontribuuese e suksesshme në zhvillimet që e prekin atë.

Në anën tjetër, jemi bërë anëtarë të konventave të ndryshme, tash së voni edhe në Konventën e Apostilës, që është me shumë interes dhe dobi për qytetarët e Kosovës.

Të gjitha këto suksese ndoshta nuk kanë pasur vëmendje publike, sikur përpjekja jonë për anëtarësim në UNESCO, por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë tyre dhe suksesin e politikës së jashtme kosovare.

Sfida kryesore e vitit 2015, me të cilën po hyjmë në vitin 2016 është përpjekja politike e opozitës në Kosovë që të provokojë zgjedhje të reja, duke e penguar funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe duke i sulmuar institucionet e shtetit. Zgjidhja edhe për këtë është e lehtë: Të respektohen rendi dhe ligji, të respektohen parimet e demokracisë dhe të vihen interesat e Kosovës mbi interesat partiakë dhe individualë.

Askush nuk duhet ta shoh Kosovën e vitit 2015 si Kosovë të gazit lotsjellës, sepse fotografitë nga Kuvendi i Kosovës janë të mjegulluara nga politika. Kosova e vitit 2015 është Kosova e vendosur në binarë drejt BE-së dhe NATO-s. Ky rrugëtim do të vazhdojë edhe në vitin që po vjen. Ekonomia dhe zhvillimi i vendit do të mbeten në qendër të angazhimit. Fuqizimi i sundimit të ligjit, gjithashtu. Megjithatë, prioritete më konkrete dhe të menjëhershme për ne mbeten udhëtimi pa viza nëpër Evropë, anëtarësimi në FIFA dhe UEFA, por edhe pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.

Me punën që kemi bërë këto vite kemi ndërtuar themele të forta, të qëndrueshme dhe të shëndetshme për shtetin tonë të ri, që qytetarët tonë të jetojnë në prosperitet dhe me dinjitet. Të gjithë do të dëshironim që kjo të arrihej menjëherë, brenda natës. Por, e vërteta është se kjo kërkon angazhim të madh nga të gjithë ne. Kërkon një angazhim, le ta quajmë “Kenedian”, që çdo ditë ta pyesim veten jo se çfarë bëri shteti për mua, por çfarë bëra unë për shtetin?! Sa punova unë për shtetin?!

Fundvit të hareshëm dhe fillimvit sa më të mbarë për të gjithë juve!

Gëzuar, 2016-ta!