Vitet e ekstremizmit

Politika e sotme thuaja në të katër anët e Botës karakterizohet me rrëfime të vrazhda, të egra dhe të përgjakshme, të cilat kanë rolin e bërjes së themeleve të vrazhda të një godine të re të Rendit Botëror.

Lajme

05/11/2016 11:00

Nuk ka kush më në Botë që ka sot kurajon politike dhe intelektuale të mbrojë apo justifikojë atë konceptin namëmadh për ‘Fundin e Historisë’ (Francis Fukuyama ishte i pari që doli me këtë nocion), që iu qep konkludimit të Luftës së Ftohtë, i cili u kumtua me Rrënimin e Murit të Berlinit, zhbërjen e Bashkimit Sovjetik, shpartallimin e Komunizmit dhe bërjen e Evropës së bashkuar.

Nuk është rend i krijimit të ‘Rendit të ri Botëror’, për të cilin folin George Bush Seniori, i ndërtuar në rregull dhe në paqe midis popujve, ku më nuk do të ketë ‘Ligj të xhunglës’ midis popujve, siç pati nënvizuar Presidenti amerikan.

Historisë nuk i erdhi fundi. Fundi i erdhi idesë për ‘Fundin e Historisë’.

Në fakt, ky lajm u shfaq në orët e mëngjesit, me kohën amerikane  (kohë kjo gjithsesi mbizotërëuse dhe përcaktuese në Botë, në aspektin politik, sot e kësaj dite), të 11 shtatorit, 2001, kur ndodhën sulmet terroriste të Al Qaeda-s mbi SHBA-në.

Apo, në atë mëngjes u shënua ora e parë e ri-shfaqjes së historisë në Amerikë dhe në Botë, në trajtën më brutale të mundshme.

Duket që kulminacioni i kësaj periudhe të marshimit të historisë po ndodhë pikërisht në vitin 2016-të. Momenti vendimtar i saj, për zhvillimet në vitet vijuese, do të përcaktohet në mesnatën e 8 nëntorit  (me kohën amerikane), kur do të kuptohet se kush i ka fituar zgjedhjet presidenciale në Amerikë: Hillary Clinton apo Donald Trump.

Në çdo variant, epilogu i këtyre zgjedhjeve do të jetë një precedent i paparë në historinë e Republikës Amerikane që shihet si Perandori thuaja në mbarë Botën. Për herë të parë, një femër do të jetë Presidente e SHBA-së. Apo, për të parën herë, një politikan fare atipik, çfarë është Donald Trump, do të ulet në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Nuk ka ngjarje më të rëndësishme në Botë se sa zgjedhja e Presidentit të SHBA-së.

Edhe më tutje, Presidenti i Amerikës ka shumicën e hises në sigurinë dhe rendin ndërkombëtar, apo, ai e ka në posedimin e tij atë 51 përqindëshin përcaktues. Siç kanë potencuar shpeshherë viteve të fundit Barack Obama dhe Hillary Clinton, Amerikës i duhen miqtë anëkënd Botës për të pasë Paqe dhe Rend Ndërkombëtar. Këtë qëllim Amerika nuk mund ta arrijë vetëm. Por Paqe dhe Rend Ndërkombëtar pa Amerikë nuk mund të ketë fare. Prandaj, ai/ ajo që udhëheqë me Amerikën, nuk i ka në mandatin e vet vetëm kodet për lansimin e armëve bërthamore në mbrojtje të SHBA-së. Ai/ ajo i ka në duartë e veta edhe mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare, një vlerë kjo të cilës po i bien ‘aksionet’ gjithnjë e më shumë kudo në Botë.

Kjo Botë sot është më e rrezikuar dhe e kërcënuar se kurdoherë më parë, jo vetëm që nga kulminacioni i Luftës së Ftohtë, por me gjasë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Politika e sotme në Botë, ngërthen në vete elementet kryesore të historisë pas epilogut të Luftës së Dytë Botërore. Kemi Luftën e Ftohtë 2.0  (edhe pse te dy palët nuk e pranojnë këtë publikisht), kemi kërcënimin e terrorizmit, madje, me idenë e territorializimit apo shtetëzimit të tij, me projektin i ISIS-it, kemi relacionet në mes të Perëndimit dhe Lindjes që kanë marrë trajtën e përplasjes religjioze dhe qytetëruese (por jo në modelet e spikatura nga Samuel Huntington). Kemi shtete që janë në zhdukje e sipër, apo, në ri-krijim e sipër. Kemi shtete të dështuara, madje, brenda vetë Bashkimit Evropian, dhe kemi mëdyshjen e Projektit të BE-së, i cili është hiseniku i dytë, më i madhi, pas SHBA-së, në Paqen dhe Rendin Ndërkombëtarë.

Politika e sotme thuaja në të katër anët e Botës karakterizohet me rrëfime të vrazhda, të egra dhe të përgjakshme, të cilat kanë rolin e bërjes së themeleve të vrazhda të një godine të re të Rendit Botëror.

Politika e sotme në Botë ende i ngjet lëvizjeve të pllakave të mëdha tektonike, të cilat i bëjnë termetet shkatërruese në natyrë. Nuk është ende rendi i qetësimit të truallit, pas të cilit bëhen hesapet për dëmet e shkaktuara në njerëz dhe në ndërtesa, dhe kur prezentohen planet për rindërtim.

Me gjuhën që përdoret në përshkrimin e situatave të sigurisë, Bota e tanishme është në ‘Gjendje të jashtëzakonshme’.

Shekullin XX, dijetari i njohur britanik, Eric Hobsbawm, e pati përshkruar me një fjali si Epokë të ekstremizmave, të ideologjive të skajshme, që prodhuan tragjedi të shumta në Evropë dhe në Botë.

Llogaritej, atje në vitet që numëronin konkludimin e Shekullit XX, që Shekulli vijues 9ai XXI), pos tjerash, nënkupton pensionimin e botëkuptimeve ekstremiste, të cilat pësuan një bankrotim evdent historik dhe politik.

Prej vitit 2001 e këndej, jemi dëshmitarë të shpërthimit të ekstremizmave të të gjitha llojeve, të cilat na shfaqen në trajtë të fanatizmave fetarë dhe politikë, të popullizmit të të gjitha llojeve, të politikës që ndërtohet mbi instiktet bazike dhe mbi konceptet e bio-politikës.

Ambienti mediatik për një eksplodim të kësisojt të skajshmërive të të gjitha llojeve, kurrë nuk ka qenë më i mirë. Secili prej nesh, kemi telefona xhepi përmes të të cilëve goditemi në kokë me lajme, spekulime, thashetheme, mashtrime dhe gënjeshtra, 24 orë në ditë. Nuk ka më kund strehimore dhe bodrum ku mund t’i shpëtojmë ‘bombardimeve’ me ‘armët’ e të gjitha kalibrave dhe llojeve, të cilat synojnë ta bëjnë për vete trupin, mendjen dhe shpirtin tonë.

E dimë. Vetura lëvizë me naftë dhe kohëve të fundit me rrymë. Industria prodhon çkadoqoftë me naftë, gaz dhe qymyr. Ndërsa historia ecën me gjak, me luftë dhe me marrëveshje politike që synojnë të garantojnë paqen dhe stabilitetin.

Kështu është edhe me historinë e tashme. Mbase, tipari më problematik i saj është që aktualisht së paku, kush nuk di se çfarë drejtimi do të merr kjo histori dhe Bota e sotme.

Jemi në qendër të një rrëmuje të gjithanshme, e cila në ato përpjekjet për një përthekim të ngjarjeve të shumëfishta problematike, klasifikohet si një Botë multipolare, pas një gjysmëshekulli të Botës bipolare  (SHBA – Bashkimi Sovjetik, gjatë Luftës së Ftohtë), dhe një njëzetvjetëshi të Botës unipolare  (SHBA, pas Luftës së Ftohtë).

Një ‘përkthim’ i lirë i këtij rrëfimi do të mund të thoshte që gjatë konfrontimit të madh Perëndim – Lindje, në vitet e Luftës së Ftohtë, që njihte si kryeprotagonist Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik, bëhej fjalë për kundërvënien midis dy të vërtetave të mëdha politike dhe qytetëruese. Pastaj, kur Bota u bë unipolare, dukej që e vërteta perëndimore (amerikano – evropiane) është mbizotëruese dhe determinuese në Botë. Tash, kemi shumë të vërteta që janë në garë për të dominuar në Rruzullin Tokësor.

Lufta e këtyre të vërtetave po bëhet në të gjitha mënyrat e mundshme, duke ri-kthyer në këtë fushëbetejë të madhe, edhe Zotin dhe religjionin, edhe historitë e papërfunduara dhe të ricikluara, edhe bindjet e të gjitha llojeve, edhe interesat ekonomikë të cilët në të vërtetë janë gjithmonë të pranishëm.

Zatën, Bin Laden e ka ditë që mënyra e vetme për t’iu kundërvënë supremacisë së Amerikës dhe të Perëndimit është që subordinimin evident politik, ekonomik, financiar, teknologjik ndaj Perëndimit, ta luftojë duke i detyruar, sa më shumë që është e mundur, Washingtonin, Brukselin, Londrën dhe kryeqendrat e tjera të perëndimit, të hynë në atë dimensionin e përplasjes së bindjeve (të të gjitha llojeve), të vetmën fushëbetejë ku mund të ketë një luftë sado të barabartë, dhe ku një vetëvrasës fanatik mund të ndryshojë rrjedhën e historisë, siç zatën edhe ndodhi me grupin prej 19 pjestarëve të Al Qaeda-s, me 11 shtator 2001 në New York dhe në Washington.

Ia vlenë të përmendet këtu që përgatitja e sulmit të Al Qaeda-s me 11 shtator, 2001, kushtoi gjithsejt 500 mijë dollarë amerikanë, ndërsa reagimi ushtarak i SHBA-së, 3.3 trilion dollarë. Apo, thënë më ndryshe, për çdo dollar që Bin Laden shpenzoi për sulmet e fanatikëve të tij, Qeveria amerikane harxhoi 7 milionë dollarë.

Ky sulm pastaj, detyroi SHBA-në të hyjë në luftë në Afganistan dhe në Irak, prej të cilave sot e kësaj dite dalje të mirëfilltë nuk ka: As për Amerikën dhe as për Perëndimin.

Ndryshe, edhe historia e re e Perëndimit dhe e Botës, veçmas ajo e Shekullit XX, tregon që imponimi i bindjeve, të cilat morën trajtën e ideologjive përjashtuese politike, dhe injorimi i interesave të mirëfilltë politik, ka pasë pasoja tragjike për vetë Perëndimin.

Në të vërtetë, që nga Paqja e Westfalisë, (1648), Evropa dhe Perëndimi në përgjithësi, janë munduar që ta bëjnë një dallim evident midis interesave politik dhe bindjeve fetare, si dhe bindjeve të të gjitha llojeve, të cilat mëtonin të mbërrinin tek stadi i një të vërtete absolute në fe, në politikë, në ekonomi, kudo.

Interesat e mirëfilltë shtetëror ndërtohen mbi faktet, e jo mbi bindjet, mbi të dhënat që mund të verifikohen në Tokë, e jo mbi besimet që dalin nga Qielli  (feja), mbi raportet ushtarake, ekonomike, financiare, e jo mbi relacionet që ndërtohen mbi fanatizmin religjioz dhe politik.

Natyrisht, mbrojtja e interesave shtetëror nuk ka si të mos merr parayshë të gjitha kërcënimet që krijohen mbi qasjen politike të fanatizmave të të gjitha llojeve.

Por ja që viteve të fundit, siç po shihet gjithnjë e më shumë si pasojë e luftërave në Irak dhe në Siri, në vijim të krizës së madhe të refugjatëve në Evropë, por edhe të ringjalljes së konfrontimit politik në mes të Perëndimit dhe Federatës së Rusisë, edhe në Evropë dhe në SHBA, është kthyer në skenë fushëbeteja e bindjeve, e cila margjinalizon interesat e mirëfilltë të Evropës dhe Amerikës, dhe për më shumë, dëmton në thelb interesat politik dhe ekonomik të te dy anëve të Atlantikut.

Kjo po ndodhë më së shumti përmes mëkëmbjes së Popullizmit dhe të krijimit të një politike që tashmë është pagëzuar si post-truth politics  (politika e post-të-vërtetës), e cila ka shënuar një sukses të madh me Brexit-in, që i lëkundi themelet e Bashkimit Evropian.

Nesër: Si asnjëherë më parë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, po lëkunden dhe po mëdyshen themelet e demokracisë liberale në Perëndim.