“Vita” me rezerva të qumështit që arrijnë 3 milionë litra

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit thonë se miliona litra qumësht kanë mbetur në depot e tyre dhe se gjatë këtij viti ka rënie të shitjes për 50%.

Lajme

16/07/2014 23:58

Hiç më pak se tre milionë litra qumësht kanë mbetur pa u shitur në qumështoren më të madhe në Kosovë. `Vita` ka mbushur depot e saj me qumësht, si pasojë e importit të pakontrolluar dhe sasisë së pakufizuar që vjen nga rajoni dhe më larg.

Drejtori Xhelal Radoniqi i bën thirrje Qeverisë që të marrë masa urgjente për ta zhbllokuar këtë situatë. Ai thotë se kjo gjendje nuk mund të zgjasë shumë, pasi detyron qumështarët që t`i mbyllin fermat e tyre, raporton RTK.

“Ne kemi për momentin mbi 3 milionë litra qumësht, që është një sasi që kurrë nuk e kemi pas. Për ta kaluar gjendjen e vështirë, të formohen kuotizime dhe kontrolle. Problemi kryesor është importi i pakontrolluar i qumështit. Le të analizohen të shikohen se çfarë përbërje kanë realisht dhe të mos përzihet qumështi i bimëve me atë shtazor”.

Naser Bajraktari, për çdo ditë pret fermerët që ta sjellin qumështin në pikën grumbulluese të tij. Ai thotë se kohët e fundit shitja nga grumbullimi i qumështit ka rënë 50 për qind, pasi kjo industri po përballet me një konkurrencë të egër të importit.

“Gjendja është më e rëndë se që po paraqitet….Fermeri nuk duhet të mendojë për shitjen por vetëm të prodhojë qumësht sa më kualitativ. Ai fermer të cilit nuk i shitet qumështi dhe i shet krerët e lopëve, ai kurrë më nuk do t’i hyjë këtij biznesi”.

Drejtuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit thonë se prodhuesit në Kosovë janë të pambrojtur.

“Si aleancë e kemi ngritur këtë çështje, por ligji është kthyer në Kuvend, kurse mungesa e ligjit që mbron produktet vendore ka bërë që prodhuesit t’i ndajnë shqetësimet edhe në rrugë”.

Për situatën e krijuar, ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj ka takuar të mërkurën përfaqësuesit e shoqatave të qumështarëve, të cilëve u ka premtuar zgjidhje të problemit.

Duke iu referuar kërkesave të tjera që kanë të bëjnë me kualitetin e qumështit të importuar, subvencionet e mundshme nga shtetet prej nga importohet ai, si dhe çmimet damping, ministri Beqaj kërkoi që të gjitha këto të dokumentohen dhe t`iu dorëzohen institucioneve relevante të vendit, në mënyrë që pastaj në kuadër të zgjidhjeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, që i ka nënshkruar Kosova, të ndërmerren masat adekuate.

Sipas RTK-së, industria e qumështit në Kosovë ka mbi 20 mijë të punësuar.