Vit i vështirë për gazetarët kosovarë

Shkelje të të drejtave të tyre, kërcënime, rrahje e therje, janë këto me ato që janë përballur gjatë këtij viti gazetarët e Kosovës.

Lajme

30/12/2014 13:56

Madje viti 2014, mund të shënohet edhe si njëri prej viteve më të këqija për gazetarët, ku kërcënimet janë rritur dukshëm. 

Kështu kanë pohuar sot edhe drejtuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të cilët kanë mbajtur edhe konferencën përmbyllëse për vitin 2014 dhe kanë prezantuar edhe planet për vitin 2015.

Zekirja Shabani, kryetar i këtij asociacioni, ka ritheksuar edhe njëherë për kushtet e vështira dhe gjendjen e rëndë që janë duke kaluar gazetarët e Kosovës, me ç’rast ka ritheksuar se edhe indeksi i gjendjes së medieve në përgjithësi, ka rënë.

Sipas Shabanit, këto të gjitha po bëhen si mungesë e investimeve në media, duke marrë si shembull punën e gazetarëve hulumtues, që për pasojë, para se t’i hyjnë një hulumtimi duhet të mendojnë për rreziqet dhe të mendojnë se a ja vlen ti hyhet atij hulumtimi apo jo.

“Një hulumtim veç se është duke u zhvilluar për gjendjen e medias në përgjithësi dhe do të publikohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm ka dëshmuar që kemi një rënie të indeksit të përgjithshëm të gjendjes së medieve dhe gazetarisë në përgjithësi në Kosovë”, ka thënë Shabani.

Por, megjithatë gjatë këtij viti, AGK është angazhuar maksimalisht në krijimin e kushteve, ngritjes së kapaciteteve dhe krijimit të një ambienti të përgjithshëm më të mirë për punë të gazetarëve.

Shabani, ka folur për konferencat që janë mbajtur këtë vit, fillimin e procesit të regjistrimit të gazetarëve, formimi i departamentit ligjorë dhe angazhimi i një avokati për gazetarët.

Ai ka përmendur edhe shumë aktivitete të tjera që janë bërë në të mirë të gazetarëve, ku gjatë kësaj konference ka paraqitur edhe publikimin e një doracaku bazik ligjorë për gazetarët, ku për hartimin dhe publikimin e tij janë ndihmuar nga OSBE.

Përfaqësuesi i këtij misioni në Kosovë, Patrick Reilly, shpreson se ky doracak do të jetë në dobi të gazetarëve por edhe aktereve tjerë.

“Ne shpresojmë se ky publikim do të ndihmojë të dy, edhe gazetarët por edhe gjykatat për të rritur të kuptuarit e roleve dhe procedurave të njëri-tjetrit, për të përmirësuar më tej marrëdhëniet e tyre. Kjo është e rëndësishme sepse media luajnë një rol kyç në lehtësimin e të drejtave të njerëzve për të ditur të drejtën e tyre për qasje në informata publike, por kjo gjithashtu duhet të përputhet me standarde të gjykimeve të drejta dhe të lira dhe mbrojtjen e dëshmitarëve”, ka thënë Reilly.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, ky nuk do të jetë edhe publikimi i fundit gjatë funksionimit të tij. Për vitin 2015, AGK ka prezantuar disa projekte që do të zhvillohen në të mirë të gazetarëve.

Shkelqim Hysenaj, anëtarë i bordit në AGK, ka thënë që Asociacioni ka disa projekte të shkruara dhe presin që ato në vitin 2015 t’i prezantojnë para donatorëve të ndryshëm. Ai ka bërë të ditur edhe për mbajtjen e Kuvendit të Punës së Asociacionit, ku gjatë këtij Kuvendi do të diskutohet edhe për krijimin e një sindikate, por edhe për ndarjes e disa bursave për ngritjen profesionale për gazetarët.

“Në këtë kuvend do të diskutojmë edhe për krijimin e një sindikate, do të diskutojmë format se si do të mund ta bëjmë një organizim sindikal, sepse në të kaluarën ka dështuar të bëhet. Shpresojmë se gjatë vitit 2015 të nisim shpërndarjen e disa bursave në bashkëpunim me disa universitete në Kosovë që shpresojmë se do të kemi me universitete jashtë vendit për ngritje profesionale të gazetarëve sepse e dimë se edhe në këtë fushë kemi probleme”, ka thënë Hysenaj.

Në mesin e shumë planeve që janë bërë për të ardhmen, asociacioni zotohet se do të përmirësoj gjendjen e ambientit të punës së gazetarëve por, kërkon më shumë vëmendje edhe nga Inspektorati i punës.