Visar Ymeri: Besim Muzaqi është ilaçi për Vushtrrinë

Në tubimin zgjedhor përmbyllës në Vushtrri, Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, tha se zgjedhjet e 11 qershorit ishin një konfirmim popullor për rrugën tonë të drejtë.

Lajme

20/10/2017 15:10

“Nuk ka Republikë pa vetëvendosje, ajo është themeli i saj. Pjesë e rëndësishme e kësaj fitoreje nuk mund të mos ishte edhe Vushtrria. Mbështetja për Lëvizjen në Vushtrri ishte e jashtëzakonshme. Lëvizja prin bindshëm me numrin e votave të fituara”, tha në këtë tubim Ymeri.

Më tej, Ymeri tha se  Vushtrria është vjedhur e keqqeverisur, keqqeverisur e degraduar, degraduar e shëmtuar, shëmtuar e shkretuar.

“Të dashur qytetarë, mos ua falni këtyrë pushtetarëve pa skrupuj. Këtë qytet e kanë vrarë këta pushtetarë, dhe kanë fytyrë prap të kërkojnë vota. PDK-ja është në rënie të lirë. Ata e dijnë që tashmë ky është fati i tyre i pandalshëm. Edhe LDK-ja e ka marrë teposhten. Pak si pishman, por gjithsesi në rënie”, tha po ashtu Ymeri

Ai tha se ata duan është të blejnë kohë, dhe po të blihej me para ajo, Ymeri tha se edhe do ta bënin.  Ymeri tha se Me 22 tetor, vota për Lëvizjen i ka dy funksione: është votë ndëshkuese sepse ua tregon vendin atyre që ju vjedhën, ju varfëruan e ju nënçmuan; është votë ndërtuese sepse hap mundësi e çel perpsektivë për Vushtrrinë me qeverisjen e mirë të Besim Muzaqit ta fillojë punën.

“Lëvizja ka folur me vepra. Kur kemi kundërshtuar diçka, ne jemi organizuar për ta ndaluar atë dukuri. Kur kemi premtuar projekte konkrete, ne i kemi bërë realitet premtimet. Andaj, kur ne themi se do të ketë ujë 24h, keni arsye të na besoni se e kemi bërë në Prishtinë; Kur ne themi se do t’i ndalojmë ndërtimet pa leje, mund të na besoni se i kemi ndaluar në Prishtinë; Kur ne themi se s’do të ketë fëmijë të uritur në shkollë, mund të na besoni se kështu është sot në Prishtinë; Kur ne themi se do t’i strehojmë të pastrehët, duhet të na besoni se e dhe këtë e realizuam”, tha gjithashtu Ymeri.

Në fund, ai duke treguar profesionin e Besim Muzaqit si farmacist, tha se ai është ilaçi për këtë qytet.

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur tubim zgjedhor përmbyllës në Vushtrri.

Ky tubim është hapur nga Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, e cila tha se ndryshimin e nisëm në qershor me zemër dhe do ta përmbyllim me 22 tetor me mendje e me zemër.

“Rrugëtimi ynë drejt fitores ka qenë dhe mbetet i përbashkët me qytetarët. Tubimet tona nga qershori deri më tani, kanë shkuar duke u rritur. Falenderoj secilin qytetar që gjatë këtij muaji na erdhën në tubime, na ftuan dhe na pritën përzemërsisht në odat e tyre, dëgjuan me vëmendje shpalosjen e programit tonë dhe na përkrahën në çdo aktivitet e punë”, ka thënë Dërguti.

 

“Programi ynë socialdemokrat me fokus në arsim, shëndetësi, infrastrukturë të mirëfilltë, qeverisje transparente, efikasitet në shërbime komunale hasi në përkrahje të qytetarëve. Shujtat për filloristë, dollapat e nxënësve nëpër shkolla, çerdhet, transporti urban falas për pensionistë, tregjet mobile, janë disa nga zotimet e Besimit”, ka thënë po ashtu Dërguti.

Për Besim Muzaqin, ajo tha se  nuk është njeri i fjalëve të bukura e gënjeshtrave, por njeri i fjalëve të sakta e të vërteta.

“Zotimet e tij janë të shkruara në letër, e zeza në të bardhë, të kalkuluara në bazë të analizës së buxhetit komunal dhe ai do të qëndroj prapa atyre zotimeve deri sa t’i realizoj të gjitha. Serioziteti, guximi, përkushtimi i tij na bindin se ky njeri është në gjendje të përballojë çfarëdo sfide që i del përpara”, tha ndër të tjera Dërguti në Vushtrri.

Dërguti tha gjithashtu se përkrah Besimit janë të rreshtuar profesionistët dhe aktivistët më të mirë në listën për asamble komunale, duke këtkuar votë nga vushtrriasit edhe për ta./Lajmi.net/