Villas-Boas ëndërron Barçën e Realin

Andre Villas-Boas e ka pranuar se ëndërron që një ditë ta udhëheq Barcelonën ose Real Madridin. Pasi e mori ‘zanatin’ nga Jose Mourinho, trajneri portugez bëri emër në Academica, më pas në Porto, para se ta merrte në dorë Chelsean, ku dështoi në sezonin e tij të parë në Stamford Bridge. Më pas, ai u…

Sport

28/02/2014 08:30

Andre Villas-Boas e ka pranuar se ëndërron që një ditë ta udhëheq Barcelonën ose Real Madridin.

Pasi e mori ‘zanatin’ nga Jose Mourinho, trajneri portugez bëri emër në Academica, më pas në Porto, para se ta merrte në dorë Chelsean, ku dështoi në sezonin e tij të parë në Stamford Bridge.

Më pas, ai u rikthye në Premierligë, duke u bërë menaxher i Tottenhamit, por pas 18 muajsh pune, atij iu mbyll dera edhe nga Spurs, për shkak të formës së dobët që e shfaqi ekipi nën drejtimin e tij. Pasi nuk e tregoi veten në Angli, ai i ka hedhur sytë kah Spanja, ku e sheh të ardhmen e tij.

“Real Madridi dhe Barcelona janë dy prej klubeve më të mira në botë. Njëri nga ta ndoshta ka fituar më shumë tituj, por tjetri e ka shkruar historinë së fundmi. Për mua, si trajner i ri, do të ishte ëndërr ta drejtoj ndonjërin prej tyre”, ka thënë portugezi për të përditshmen spanjolle, Marca.

Villas-Boas kishte punuar me Gareth Bale në sezonin final tek Spurs, para se mesfushori uellsian t’i bashkohej Real Madridit për 100 milionë euro verën e kaluar.

Ish mentori i uellsianit e ka përshëndetur vendimin e tij për t’iu bashkuar gjigantit madrilen. “Ai ishte i jashtëzakonshëm. Ai ka realizuar shumë gola të bukur në Premierligë sezonin e kaluar, kështu që nuk është një befasi”, vazhdoi Villas Boas.

“Ai mund të adaptohet mjaft mirë në Madrid. Ai është i vetëdijshëm se po përballet me njërën prej sfidave më të mëdha në karrierë. Të shkonte në këtë klub, ishte vendim i tij. Ai kishte disa oferta, por vendosi të shkonte në ekipin me më së shumti trofe”, përfundoi trajneri portugez.