Villa, zyrtarisht në New York City

David Villa është edhe zyrtarisht futbollist i ri i New York City FC. Lajmin e ka konfirmuar klubi amerikan. Sulmuesi spanjoll zotohet se do ta japë më të mirën nga vetja dhe mezi pret ta nis sfidën e re.

Sport

02/06/2014 18:26

New York City FC ka konfirmuar se sulmuesi spanjoll David Villa është bërë transferi i parë i klubit amerikan, i cili do të debutojë sivjet në ligën MLS.

Ish futbollisti i Valencias e Barcelonës largohet kështu nga Atletico Madrid pas vetëm një sezoni, pasi realizoi 13 gola, duke e ndihmuar ekipin e tij të shpallet kampion i Spanjës, për herë të parë pas vitit 1996.

“Gjatë karrierës sime jam munduar të arrij caqe të reja dhe ky është një objektiv tjetër i rëndësishëm për mua”, deklaroi 32 vjeçari për uebfaqen zyrtare të New York City.

Sulmuesi spanjoll do ta nis aventurën e re në muajin mars të vitit 2015.

“Jam i vendosur ta jap më të mirën nga vetja. Është një nder për mua që njerëzit që e kanë formuar klubin, e kanë fokusuar vëmendjen tek unë”, përfundoi Villa, i cili do të luajë me Spanjën në Botërorin e Brazilit.

Edhe drejtuesit e klubit amerikan e shprehën gëzimin për transferimin e sulmuesit të rrezikshëm.

Villa i ka zhvilluar 94 ndeshje me Spanjën, duke i realizuar 56 gola.