Vilanova, në fanellën e Barcelonës

Futbollistët e Barcelonës do të paraqiten për ndeshjen e ardhshme kundër Getafes në Camp Nou, me një mbishkrim në fanellat e tyre, në përkujtim të ish trajnerit të ndjerë, Tito Vilanova.

Sport

01/05/2014 13:00

Barcelona ka njoftuar se futbollistët do të zhvillojnë ndeshjen e ardhshme kundër Getafes të shtunën në kuadër të La Ligës me një mbishkrim për nderë të ish trajnerit të ndjerë, Tito Vilanova.

Në gjoks, uniforma e gjigantit katalan do të mbajë mbishkrimin “Tito, per sempre etern”. Po ashtu para fillimit të ballafaqimit, do të transmetohet një xhirim përkujtimor për Vilanovan – i cili vdiq javën e kaluar pas betejës së gjatë me kancerin – të shoqëruar nga himni i klubit.

Barcelona ka kërkuar që tifozët të hyjnë më herët në stadium në mënyrë që mos t’ju ikë nderimi i Vilanovas.

Vilanova ishte për një kohë të gjatë i angazhuar në klub, fillimisht me ekipin e dytë, e pastaj udhëhoqi detyrën e asistentit të Pep Guardiolës para se të promovohej në detyrë, ku edhe fitoi titullin e kampionit në La Ligë.

Vdekja e tij ka tronditur Barcelonën, por edhe mbarë botën e futbollit që përgjithmonë do ta mbajë të gjallë kujtimin për të.