Viktima nga moti i keq në Greqi

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në Greqi si pasojë e një vale moti të keq, të ashtuquajtur Euridiki, që po mbizotëron në pjesën më të madhe të vendit.

Lajme

15/11/2017 14:26

Të gjithë viktimat kanë qenë banorë të komunës së Mandres në perëndim të Athinës, ku dhjetëra shtëpi janë përmbytur nga ujërat e rrëmbyera. Sipas organeve vendore, disa persona konsiderohen të humbur, ndërsa dy gra të tjera të moshuar që janë shpëtuar në çastin e fundit janë dërguar në spital me hipotermi.

Mediat greke transmetojnë pamje të një katastrofe të madhe në zonat Nea Perama dhe Megara pranë kryeqytetit grek.

Nga reshjet e mëdha të shiut, shumë shtëpi janë përmbytur, ndërsa dhjetëra makina janë bllokuar në rrugët përreth. Shërbimi zjarrfikës u është përgjigjur më shumë se 360 thirrjeve për ndihmë nga shtëpi dhe dyqane të përmbytura.

Probleme ne qarkullimin e automjeteve ka pasur në rrugën nacionale Athinë-Korinth. Organet vendore kanë urdhëruar të mos hapen shkollat në gjithë zonën perëndimore të prefekturës së Athinës.

Prej ditës së djeshme, gjithashtu ishulli i Simit në Egjeun juglindor, ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme pasi reshjet e shiut kane shkaktuar përmbytje të mëdha dhe dëme kolosale.

Dhjetëra makina kanë përfunduar në det nga ujërat e rrëmbyera, janë përmbytur shtëpi e dyqane, është ndërprere furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Në ndihmë të banorëve kanë shkuar forcat e ushtrisë dhe repartet e zjarrfikëseve.

Shërbimi Kombëtar Sinoptik ka paralajmëruar përveç të tjerash edhe për një ciklon të mundshëm në zonën e Korfuzit gjatë ditës së premte.