Viktima e dhunës që kërkon drejtësi

Gjashtë muaj pasi është ndarë nga burri i saj, L.K. viktimë e dhunës në familje është duke u përballur me sfida të mëdha jetësore.

Lajme

21/10/2017 11:32

Gjashtë muaj pasi është ndarë nga burri i saj, L.K. viktimë e dhunës në familje është duke u përballur me sfida të mëdha jetësore.

Në një rrëfim për KALLXO.com viktima është ankuar se ndarja e pasurisë së përbashkët pret vendimin e gjykatës për më shumë se 8 muaj, ndërsa pagesat e alimentacionit nuk mjaftojnë për ushqimin e dy vajzave.

Me një vendim të saj Gjykata e Prishtinës ka caktuar që nëna e dy vajzave të marrë një alimentacion prej 400 eurosh nga burri i saj një biznesmen i kryeqytetit.

“Ish-bashkëshorti është pronar i një biznesi këtu në Prishtinë, dhe në një farë mënyrë mua më ka bërë që të jem e varur prej tij pasi që unë nuk punoj, ndërsa ai tërë pasurinë e vet e ka bartur në emër të babait të tij”, ka thënë viktima L.K.

Në një rrëfim për KALLXO.com L.K. është ankuar se alimentacioni prej 400 eurove nuk është në proporcion me të hyrat që i ka burri i saj.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë në bazë të kërkesës për urdhër mbrojtjeje nga pala e mbrojtur L.K, kishte caktuar seancën dëgjimore dhe pas dëgjimit të palëve kishte marrë aktvendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje të palës së mbrojtur L.K.

Kjo e fundit në paraqitjen e saj para gjykatës ishte ankuar se ish- burri po e kërrcënonte që ta largonte nga shtëpia. Për ta ndaluar largimin, gjykata kishte vendosur urdhërin mbrojtës, i cili në këtë rast ishte i pavlefshëm për shkak se shtëpia ishte në emër të babait të ish-burrit.

Përpos shtëpisë dhe alimentacionit të vogël, viktima përballet edhe me mungesën e vendimmarrjes së gjykatës.

Një lëndë e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Graçanicë nga marsi 2017 nuk ka marrë epilog përfundimtar.

I kontaktuar nga KALLXO.com ish-bashkëshorti i viktimës ka thënë se mohon në tërësi të ketë ushtruar dhunë psikike apo fizike në ish-bashkëshorten dhe se asgjë nuk është e vërtetë.

“Çka pretendon ajo, ato sende nuk jon ba, ato e din edhe ajo vetë. Kurrfarë fakti, kurrfarë lidhje me dhunë psikike apo fizike nuk ka pasë” tha ish-bashkëshorti.