Video-reportazh nga vendi ku serbët provojnë ndarjen e Mitrovicës me muri

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, që filloi të ndërtohej dy ditë më parë, ka ngjallur reagime të shumta.

Lajme

09/12/2016 20:04

Kryetari i Komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri tha të premten se muri do të rrënohet dhe hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve.

“Kemi rënë në ujdi që muri të hiqet, të pastrohet ai vend dhe të normalizohet gjendja siç ka qenë me planin e Brukselit. Komplet ura dhe lëvizja e lirë njerëzve dhe veturave do të ndodh në janar të vitit të ardhshëm”, tha Bahtiri.

Por, kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq tha se muri i ngritur nuk do të rrënohet por ri-dizajnohet.

“Ky nuk është mur. Ky është një mbështetës që do të ndihmojë zonën e këmbësorëve. E kam thënë edhe më herët dhe edhe në takimin e djeshëm është arritur pajtimi, e po e përsëris që kjo do të shndërrohet në një teatër veror dhe do të jetë kështu”, tha Rakiq.

Deklaratat e Rakiqit erdhën pas një bisede pranë murit të ngritur me kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Bedri Halimi, i cili qëndroi, më 9 dhjetor, në vendin e ngjarjes ku është ndërtuar muri.

Në orët e mbrëmjes, situata paraqitej e qetë dhe me pak lëvizje në të dy anët e urës. Edhe serbët e pjesës veriore janë shprehur të befasuar.

Shikojeni video-reportazhin e realizuar nga lajmi.net: