Vidal ‘sheh’ Botërorin

Mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal ka operuar sot gjurin në Barcelonë, dhe pritet të rikthehet në stërvitje pas 30 ditësh. Kjo nënkupton se ai do të jetë i gatshëm për Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

07/05/2014 17:40

Problemi i gjurit ishte duke e munduar tashmë një kohë të gjatë, por mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal shtrëngoi dhëmbët dhe vazhdoi të luante.

Mirëpo, pas sigurimit të Scudettos, ylli kilian ka vendosur të ndalet dhe sot iu nënshtrua një operacioni në Barcelonë.

Fillimisht besohej se ndërhyrja kirurgjike do t’ia pamundësojë atij paraqitjen me Kilin në Kampionatin botëror në Brazil.

Por, tani ka shpresë se Vidal do të jetë atje. “Vidal është një djalosh me temperament të madh, sa i përket rikuperimit, shumëçka do të varet prej tij. Unë jam shumë optimist”, deklaroi profesori Ramon Cugat, që kreu ndërhyrjen.

Prognoza pas operacionit parasheh se Vidal do të rikthehet të vrapojë pas një muaji, andaj do të jetë në gjendje të udhëtojë me Kilin për në Brazil.