Viber njeh kodin e ri të Kosovës

Viber ka njohur kodin e ri të Kosovës, "+383".

Lajme

05/02/2018 18:56

Përkundër se zyrtarisht nuk ka arritur të implementohet kodi i ri telefonik +383 për Kosovën, Viber ka shkuar një hap përpara.

Aplikacioni mobil për thirrje dhe mesazhe falas, në përditësimin më të fundit (pra, duhet ta bëni “update” për ta parë) ka mundësuar edhe përdorimin e kodit +383.

Mjafton ta përdorni +383 në vend të +377 apo +386 dhe mund të komunikoni me numrin e caktuar.

Aktualisht në Kosovë janë prezent tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Mungesa e kodit dhe përdorimi i kodeve të shteteve tjera i shkaktuan Kosovës humbje të mëdha. Të dhënat e Qeverisë së Kosovës treguan se kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik kishte arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Kosova kishte marrë kodin telefonik +383 në dhjetor të 2016, pas arritjes së një marrëveshjeje për telekomunikacionin në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.