Vëzhguesit rusë: Skocezët votuan pro pavarësisë, rezultati u manipulua!

Vëzhguesit rus të cilët morën pjesë në monitorimin e referendumit për pavarësi në Skoci, thonë se shumica e skocezëve votuan pro, por votat u manipuluan. 

Bota

19/09/2014 20:25

George Fjordov, nga shoqata për mbrojtjen e të drejtave zgjedhore “Kontrolli Civil”, ka thënë se në referendumin për pavarësi në Skoci, kishte më shumë vota pro pavarësisë se sa kundër. 

Vëzhguesit rus kanë deklaruar se qeveria në Londër e cila ishte kundër pavarësisë së Skocisë, ka bërë presion të jashtëzakonshëm mbi skocezët. 

“Vëzhguesit tanë që kanë monitoruar procesin e numërimit të votave, kanë parë më shumë vota pro pavarësisë. Referendumi u mbajt nën një presion të madh. Ata që organizuan fushatë kundër pavarësisë, kanë shkelur të gjitha rregullat”, ka thënë Fjorodov. 

Nga ana tjetër, Igor Morozov, një anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës Ruse, tha se rezultatet erdhën si ndikim i një propagande të madhe nga qeveria në Londër, transmeton lajmi.net. 

Kujtojmë, se qytetarët e Skocisë dje në referendumin për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar, votuan kundër me një diferencë rreth 10 për qind krahasuar me ata që votuan pro. 

Në bazë të rezultateve të votimit të publikuara për 31 nga gjithsejtë 32 rajone, 55.42 për qind e popullsisë së Skocisë votuan për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 44.58 për qind e popullsisë ishin që të ndërpritet aleanca 300-vjeçare me Britaninë.

Kryeministri i Skocisë Alex Salmond, i cili ishte lider i partive që ishin pro shkëputjes, pranoi humbjen pas shpalljes së rezultateve për 31 rajone.

Gjithashtu, duhet theksuar, se Rusia e ka shikuar me shumë interes këtë referendum. Rezultati eventual pro pavarësisë, do t’i konvenonte shumë fushatës ruse të pushtimit të territoreve në Ukrainë, dhe në të ardhmen edhe në republika tjera të ish Bashkimit Sovjetik. (lajmi.net)