Vëzhguesit në mesin tonë

Misioni i BE’së për vëzhgimin e zgjedhjeve ka filluar zbarkimin në Kosovë. Tetë analistë të zgjedhjeve tashmë kanë arritur, për ta përgatitur terrenin. Së shpejti atyre do t’u bashkohen edhe vëzhguesit tjerë. Ky mision udhëhiqet nga Roberto Gualtier.

Lajme

04/10/2013 20:35

Bashkimi Europian ka nisur vendosjen e misionit të tij për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Ky mision do të bëjë vëzhgimin e zgjedhjeve  komunale, të caktuara për 3 nëntor dhe 1 dhjetor 2013 dhe udhëhiqet nga Roberto Gualtieri, anëtar i Parlamentit Europian nga Italia.

Në një konference shtypi, të mbajtur në Prishtinë, Gualtieri deklaroi se qëllimi i këtij misioni është që të mbështesë procesin demokratik dhe të ofrojnë një vlerësim të paanshëm dhe të informuar rreth zgjedhjeve.

“Shpresojmë se kjo do të përforcojë edhe besimin e votuesve për pjesëmarrje në zgjedhje, si dhe të jetë një ndihmesë për krijimin e kushteve më të mira për zgjedhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.”

“Misioni përbëhet nga ekipi qendror prej tetë analistëve të zgjedhjeve dhe atyre së shpejti do t’u bashkohen edhe 20 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të vendosen në pjesë të ndryshme të Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor”.

“Duke iu afruar ditës së zgjedhjeve, numri i vëzhguesve nga 28 shtetet anëtare të BE’së si dhe nga Norvegjia e Zvicra do të rritet në 100. Atyre do t’u bashkohen edhe 42 vëzhgues afatshkurtër dhe rreth 20 vëzhgues nga ambasadat lokale të BE’së”.

Misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE’së, i cili është një trup i pavarur dhe neutral, do të përpilojë një analizë gjithëpërfshirëse mbi procesin zgjedhor, e cila do të bazohet në vëzhgimin afatgjatë dhe metodologjinë e zhvilluar përgjatë shumë viteve, si dhe do të vlerësojë se a ishte ky proces në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me ligjin vendor.

“Kjo analizë përfshin kornizën ligjore, punën e administratës zgjedhore, aktivitetet e fushatës së kandidatëve dhe partive politike, sjelljen e mediave, votimin dhe numërimin, procesin e ankesave dhe parashtresave si dhe shpalljen e rezultateve”, ka deklaruar Roberto Gualtieri.

“Deri në këtë pikë, vëzhguesit do të takohen me zyrtarët e qeverisë dhe institucioneve për zgjedhje si dhe përfaqësuesit e partive politke, gjyqësorit, organizatave të shoqërisë civile dhe medieve”.

Pas ditës së zgjedhjeve, Kryesuesi i Misionit të Vëzhguesve, Roberto Gualtieri, do të lëshojë një deklaratë preliminare me vlerësimet preliminare rreth këtij procesi.

Raporti përfundimtar, së bashku me rekomandimet teknike për zgjedhjet e ardhshme, do të bëhet publik në fillim të vitit 2014.