Vëzhguesit e BE te Presidentja Jahjaga

Sipas Presidentes Jahjaga, institucionet e Kosovës janë plotësisht të angazhuara për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, që do të mundësojnë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë dhe legalë.

Lajme

04/10/2013 11:58

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri.

Presidentja Jahjaga theksoi se i jep mbështetje të plotë Misionit të Vëzhguesve të BE’së, prania e të cilëve do të ndihmojë në vendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje.

Sipas saj, institucionet e Kosovës janë plotësisht të angazhuara për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, që do të mundësojnë zgjedhjen e përfaqësuesve legjitimë dhe legalë.

Presidentja Jahjaga theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme pasi ato do të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht, por gjithashtu shumë të rëndësishme edhe për komunitetin serb në Kosovë, sidomos në komunat e në pjesën veriore të territorit të Kosovës, të cilët për herë të parë kanë mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim dhe legal që do të përfaqësojnë interesat e tyre në kuadër të jetës politike dhe institucionale të Kosovës.

Shefi i Misionit të BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, Roberto Gualtieri, falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që po i jep misionit dhe për rolin e saj personal në gjithë këtë proces. Ai u shpreh se prezenca e Misionit do të ndihmojë në rritjen e besimit dhe kjo do të mundësojë sukses në procesin demokratik në Kosovë.