Veturat që pacientëve ua kujtojnë vdekjen para shërimit

Zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare thonë se do të shqyrtojnë mundësinë që të ofrojnë shërbimet e transportit të kufomave në një kundërvlerë participimi. Derisa nuk ka një rregull dhe një vend të përshtatshëm për parkimin e veturave të transportit të kufomave, ato parkohen vend e pa vend dhe pacientëve ua kujtojnë vdekjen.

Lajme

15/06/2017 16:50

Dy vetura për transportin e kufomave ishin parkuar para Klinikës së Neurologjisë në QKUK. Kjo e fundit është klinika me vdekshmërinë më te lartë në gjithë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton rtklive.com..

Pacientët ndërkaq po irritohen derisa para syve të tyre po shohin veturat që po iu kujtojnë vdekjen.

“Nuk është ndjenjë e mirë që këto vetura t’i shohim para spitaleve. Këto të kujtojnë vdekjen”, thotë Ramize Selmani nga Prishtina.

Ndërkohë edhe zyrtarë spitalorë thonë se për të shmangur irritimin e pacientëve kanë formuar një komision i cili po merret me këto vetura.

“Ne kemi formuar një komision dhe ai bashkë me sigurimin e QKUK-së po i largon veturat e transportit të kufomave nëse ato parkohen aty ku nuk e kanë vendin”, ka thënë Mehdi Krasniqi, shef i shërbimeve teknike në QKUK.

Ai ka treguar se madje ndaj tij kishte presione prej pronarëve të kompanive që bartin kufomat për shkak të pengesave që atyre iu shkakton mos lejimi i parkimit të veturave në oborrin e spitalit.

Por, Krasniqi i pyetur nëse është menduar ndonjëher që këtë shërbim ta ofroj vet spitali, që do të kishte veturat e saja për bartjen e kufomave, ka thënë se nuk kanë menduar ndonjëherë për këtë.

“Mbase kjo mund të jetë një ide e mirë. Por kemi numër të vogël të punëtorëve të shërbimeve teknike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se do ta shqyrtojnë brenda strukturave spitalore mundësinë që QKUK të ofroj shërbimin e transportit të kufomave në një kundërvlerë participimi.

Rtklive.com në anën tjetër ka marrë vesh se janë krijuar edhe lidhje ndërmjet disa kompanive me staf mjekësor të QKUK-së dhe këta të fundit sapo vdes ndonjë pacient i lajmërojnë kompanitë e caktuara e të cilat pastaj një përqindje nga fitimi e japin për “lajmëtarët”.