(Vetë)Vrasja e Kryeministrit

E dija që KM, të cilin e adhuroja, nuk po kalonte ditët e veta më të mira, por rishfaqja e Otzit në horizontin e jetës sime, më kishte penguar të shoh retë që kishin mbuluar shkëlqimin e njeriut të cilit i shërbeja. Megjithatë, i shtyrë nga nevoja për t’i shpëtuar ndëshkimit që më priste, mendova se duhet të pranoja të bëja gjithçka për ta shpëtuar KM nga humbja, vendin nga kriza dhe veten nga burgu.

Opinion

07/11/2016 09:05

(Ben Blushi, ‘Kryeministri’)

Jam i gatshëm të bëj gjithçka që mund ta ndihmojë KM të fitojë zgjedhjet, aq më tepër që babai im e admiron, ndërsa unë vetë e adhuroj për cilësitë e jashtëzakonshme që ka.

Je vërtet i gatshëm të bësh çdo gjë, më pyeti Kim Kurani pa u habitur. Sigurisht.

Më thoni çfarë duhet të bëj.

Duhet të vrasësh kryeministrin, tha ai.

U ngrita në këmbë dhe e pashë me tërbimin e një njeriu që pasi më kishte shtyrë në një gropë, tani donte të më varroste aty përjetësisht. Kim Kurani më bëri shenjë të qetësohesha se nuk isha përballë një komplotisti që po më ftonte në një grusht shteti. Nuk them ta vrasësh, vazhdoi ai për të më zbutur. Ti je një snajper i shkëlqyer dhe aftësia e sprovuar e dorës tënde për të lëvizur në fillin e hollë që ndan një vrasje nga një plagosje me paramendim, është ajo që na duhet për të fituar zgjedhjet.

Pra, nuk po them se duhet ta vrasësh KM, por duhet ta plagosesh në një mënyrë që jeta të mos i rrezikohet dhe populli ta mbështesë si viktimën e një atentati terrorist, duke ia besuar prapë pushtetin. Kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar vendin dhe vetë KM. Atij duhet t’i bëhet një atentat dhe ti je njeriu që do ta bësh, nëse pranon, përndryshe ta kam shpjeguar hollësisht se çfarë të pret.

Duke lexuar pyetjet e mia, përgjigjet e të cilave i kishte përgatitur para se të më takonte, Kim Kurani nuk më la të flisja. E di se çfarë po mendon, tha ai. Çfarë do të ndodhë me ty pas atentatit nëse të kapin. Asgjë. Njeriu që kërkon të vritet nuk arreston atë të cilit i është lutur ta vrasë Pra, pasi KM të plagoset dhe natyrisht të shpëtojë, me një gërvishtje të lehtë, për shkak të zotësisë tënde si snajper, ti do vazhdosh jetën i qetë.

Askush nuk do të të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen. Pra, është një film elektoral i destinuar për shijet e atyre që votojnë. Kjo është e gjitha dhe për këtë ke premtimin tim prej burri dhe premtimin e KM prej burri shteti.

Amerikanët besojnë se populli nuk duhet të jetë i lirë të besojë atë që do, por duhet të nxitet të besojë atë që duhet. Për këtë qëllim shërbejnë mediat dhe njerëz si puna ime që përpiqen të ndryshojnë të vërtetën, duke krijuar situata të caktuara, të cilat i japin popullit të vërtetën e perceptuar. Kjo do të thotë të kombinosh interesin publik me interesin privat. Në rastin tonë, interesi publik kërkon që KM të fitojë zgjedhjet pasi tentuan ta vrasin si reformator, ndërsa interesi privat i KM synon të vazhdojë punën edhe për një mandat.

Unë punoj që këto interesa të përputhen në kohën dhe vendin e duhur dhe aftësia që kam për ta realizuar këtë kombinim më dallon nga njerëz si ty. Nëse kemi një ngjashmëri, është se unë jam snajperi i të vërtetës. Pra, mjeshtëria ime për ta ndryshuar të vërtetën pa asnjë gabim në llogaritje është milimetrike, njëlloj si e jotja. Ti vret njerëz, unë vras idetë, dhe bashkë me to edhe të vërtetën.

Që kur kisha ikur në Tiranë, Sari më kishte telefonuar disa herë për t’u ankuar se kanabisi nuk po shitej dhe se ata nuk kishin fituar pothuajse asgjë, në krahasim me atë që prisnin. Ato kohë të gjithë merreshin me kultivimin e kanabisit dhe konkurrenca e ashpër kishte çuar në ulje çmimesh, duke dëmtuar ata që mbillnin më pak dhe lodheshin më shumë.

Kush donte të fitonte pa humbur, duhet të mbillte dhjetëra hektarë, në mënyrë që kostoja e prodhimit të ishte edhe më e ulet. Megjithëse kultivohet në kushte ilegale dhe tmerrësisht të vështira, njëlloj si zarzavatet apo si frutat, kanabisi ka tregun e vet dhe çmimet lëvizin si në një bursë ditore ku vlen më shume ajo që prodhohet më pak. I mërzitur nga humbjet, i nxitur nga padurimi dhe i lodhur nga papunësia, Sari ishte lidhur me disa grupe pranë opozitës, me shpresën se pas zgjedhjeve do t’i jepnin një punë që kishte vite që e priste.

Opozita kishte qenë bujare, për të tërhequr sa më shumë njerëz kishte premtuar mijëra vende pune dhe më shumë mbështetje për të rinj me shkolla të mesme, siç ishte Sari, që tani rrinte përballë meje duke menduar se unë isha një njeri që mbronte me armë ata që e kishin lënë pa punë. Natyrisht nuk mund t’i thosha se në të vërtetë unë kisha marrë ca ditë leje për të vrarë KM, çka do ta gëzonte pa masë, meqë dukej sheshit se e urrente sinqerisht.

Zgjedhjet do jenë të vështira, foli Sari, duke parë babain, dhe nëse KM nuk dorëzohet, në Shqipëri do ketë revolucion. Populli nuk mund të durojë më që një grusht njerëzish pasurohet çdo ditë, ndërsa të tjerët ikin në emigracion. Ka vetëm një rrugë: ose KM ikën, ose populli e heq me dhunë. Unë jam i gatshëm për të dyja, madje rruga e dytë do më pëlqente më shumë, sepse ky njeri prej kohësh më është shpifur dhe më duket sikur më ha bukën që mezi e siguroj.

Ky atentat do t’i kthente amerikanët në zgjedhje. Pas Islamit, Amerika është pushteti më i besueshëm moral në Shqipëri. Shqiptarët besojnë se Amerika ka gjithmonë të drejtë, por Kim Kurani ka më shumë të drejtë kur thotë se Amerika nuk është shteti i së drejtës, por e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve të tjera. Unë u kam shërbyer atyre prej kohësh duke dërguar në Afganistan djem të shkëlqyer si ty, por kjo nuk është konsideruar asnjëherë e mjaftueshme.

Amerikanët kanë kërkuar që unë të zbardh çështjen e të vrarëve në protestë, çka ka inkurajuar opozitën, që e lexon këtë mesazh si një sulm ndaj meje. Unë mbroj të vërtetën time, kur them se protestuesit sulmuan institucionet kushtetuese, të cilat unë i mbrojta. Çështja është se cilën të vërtetë do zgjedhin amerikanët, atë që them unë, apo atë që thotë opozita? Me kë do jenë ata pas atentatit mbi një njeri që u sakrifikua për vendin duke vënë jetën në rrezik, për të luftuar organizatat terroriste pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sigurisht do jenë me mua, sepse plumbat mbi gjoksin tim janë plagë mbi trupin e tyre. Unë do sulmohem si një reformator që ka mbrojtur kufirin e lirisë amerikane në këtë zonë të botës të populluar me terroristë të të gjitha ngjyrave. Prandaj duhet të jesh krenar se po mbron edhe interesat e Amerikës duke më vrarë. T’i thashë këto në mënyrë që sonte të flesh i qetë dhe zemra jote e tronditur të mos i shkaktojë asnjë dridhje dorës tënde, nesër në mëngjes. I bindur se kjo nuk do të ndodhë dhe se plagosja ime do të jetë milimetrikisht e përsosur, dua të takohemi prapë, si dy miq që iu gjendën njëri­tjetrit në ditë të vështira. Kim Kurani do të të njohë me detajet, por sidoqoftë nëse ka diçka që do ta thuash, jam i gatshëm të përgjigjem.

Të nesërmen në mëngjes, KM organizonte një takim në një shkollë në periferi të Tiranës. Fëmijët ishin rreshtuar për ta pritur, ndërsa mua më kishin hipur mbi një pallat dhe distanca e qitjes nuk duhej të ishte më shumë se dyqind metra, çka më jepte siguri të plotë. Dita ishte e bukur dhe dielli që shkëlqente atë mëngjes ishte i përgjumur dhe i dobët sikur sapo ishte zgjuar. KM erdhi në orën e caktuar dhe unë u bëra gati. Duke mbështetur syrin në dylbi, mora shenjë në mes të gjoksit duke e ditur se aty, KM ishte i mbrojtur nga jeleku antiplumb dhe nuk mund të shpohej.

E pashë për herë të fundit kur nisi të fliste ngadalë, me sa duket duke më pritur dhe pas pak qëllova. Isha i qetë dhe kalova dorën mbi sy, siç bën çdo njeri pasi ka përmbushur një detyrë të rëndësishme. KM u rrëzua dhe unë mendova se do ngrihej pas pak. Ndërkohë që ai nuk po ngrihej, mendova se ndoshta Kim Kurani e kishte porositur se duhet të rrinte pak kohë i shtrirë, derisa efekti i atentatit të zgjatej si në një film.

Nga të gjitha anët kishte ulërima njerëzish të alarmuar që vraponin për të ikur, ndërsa sirenat e ambulancave afroheshin me shpejtësi duke shtyrë turmën e tmerruar. I rrethuar nga rojet, trupi i KM nuk dukej më dhe pas pak, pashë një barelë që po e transportonte në spital. Nuk kisha kohë të kuptoja se çfarë po ndodhte, pasi njerëzit që më kishin sjellë aty, erdhën duke dihatur dhe pasi më goditën me grushte, më çuan në burg me akuzën se kisha vrarë kryeministrin. Kjo është e pamundur, thashë unë. Por e vërteta ishte se e pamundura ishte e vërtetë. E kisha vrarë.

/Marrë nga libri “Kryeministri” i Ben Blushit, panorama.al/