Vetëvendosje, vendos kushte për të hyrë në Ekzekutiv

Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm, nëse arrihet marrëveshja sipas kërkesave të tyre. E për të arritur këtë marrëveshje, liderët e NISMA, LDK, AAK dhe Vetëvendosje kanë kohë deri të dielën.

Lajme

10/07/2014 20:43

Mundësinë që të jenë pjesë e ekzekutivit e ka thënë vetë Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne jemi të gatshëm që ti marrim përgjegjësitë tona në ekzekutivin e ardhshëm, por kjo do të mund të bëhet vetëm pas marrëveshjeve paraprake”, u shpreh Kurti.

I pari i Vetëvendosjes zbuloi se në këtë takim është krijuar një grup i përbashkët me nga një anëtar prej secilës parti e që do të diskutoj për marrëveshje.

“Jemi në fazën e bisedimeve kur i kemi diskutuar në hollësi të gjitha çështjet sa i përket dialogut e privatizimit. Ajo çfarë kemi arritur në fund është krijimi i një ekipi të punës i cili përbëhet nga një përfaqësues nga të katër subjektet e i cili do të ketë afat deri këtë të diel që të merren vesh për dakordimin tonë. Vetëvendosje nuk mund ta jap votën në Kuvendin e Kosovës pa marrëveshje paraprake, dhe kjo marrëveshje paraprake e ka afatin e së dielës së 13 korrikut. Le ti presim përfaqësuesit që gjatë këtyre tri ditëve të arrijnë dakordimin”

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj tha se Vetëvendosje e askush tjetër nuk ka dhënë kushte, por “thjesht po bisedojnë që të gjejnë një kompromis për çështje të ndryshme”.

Haradinaj ka treguar se ajo çka është e rëndësishme është se asnjëra prej partive opozitare nuk do të bëjë koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.

“Mendoj që ka qartësime. Ende është herët të flasim si do të vazhdojmë më tutje. Ekipi i ekspertëve do të punojë që në etapat e ardhshme të ecim më shpejtë. Ne jemi duke qartësuar parimet për programe”.

“Me rëndësi është që deri në seancën që do të mbahet sot një javë, të konfirmohet ajo që kemi thënë katër partitë opozitare: jo qeveri e re e regjimit të vjetër”, tha Haradinaj.

Pas tri orë takimi, ata deklaruan se nuk kanë folur për poste ministrore, por do të krijohet një grup i përbashkët ku do të ketë përfaqësues të secilit nga këto subjekte për të çuar deri te arritja e një marrëveshje, raporton KosovaPress.