Vetëvendosje: Si me KEK-un, si me KEDS-in

Lëvizja Vetëvendosje ka fajësuar KEDS-in për mos furnizim të rregullt me energji dhe për mos investime. Për problemet me energji, VV ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Lajme

23/10/2014 15:38

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se që nga privatizimi i distribucionit të KEK-u nga KEDS, janë dobësuar shërbimet dhe investimet, ndërsa janë rritur çmimet e energjisë elektrike.

Visa Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje të enjten në një konferencë për media, ka thënë se  humbjet e energjisë vazhdojnë me ritmin e njëjtë sikur me parë, madje siç pohoi ai, reduktimi i humbjeve që ka ndodhur gjatë një viti të afarizmit të KEDS-së, nën menaxhim privat, janë kryesisht reduktim i humbjeve komerciale.

“Pas një viti e gjysmë të menaxhimit privat të KEDS-it, çmimet i kemi shumë më të larta se sa i kemi pasur, furnizimin e kemi më të pakët se sa që e kemi pasur dhe më të dobët në cilësi, investimet janë vetëm ato projekte të cilat janë bartur nga koha kur kompania ka qenë në pronësi publike dhe shumë pak ose fare është investuar nga kompania private në rrjet”.

“Një ndërmarrje efiçiente ofron shërbime cilësore me çmime më të ulëta, ndërkohë kjo që po dëshmohet është që, në fakt KEDS-i nuk po ka mundësi që të ofrojë as për së afërmi shërbimet të cilat i ka marrë përsipër me çmimet të cilat kanë qenë atëherë, por po ka nevojë që t’i ngrihet çmimi vazhdimisht”.

Ymeri ka thënë se greva e punëtorëve të KEDS-it ka bazë dhe se VV e mbështet këtë veprim të tyre.

Kurse, Naim Hoxha, profesor i energjisë tha se ZRRE-ja duhet të bëjë shërbimin në dobi të qytetarëve dhe t’i kryejë punët ashtu siç edhe i takon. Ai ka akuzuar ZRRE- në edhe për mos transparencë.

“Një prej pikave të kritikës së sistemit energjetik është pikërisht që qeveria e cenon pavarësinë e ZRRE-së, si dhe ZRRE-ja është jo transparente për çështjen e llogaritjes së çmimeve dhe nuk jep informata për llogaritje. Është pikërisht kjo që po e them unë që është edhe përvoja jonë në këtë lëmi”.

“Prandaj, një qeveri e cila e cenon pavarësinë është shumë e logjikshme që të ketë ndikuar në vendimet dhe në raportet të cilat i ka krijuar ZRRE-ja, aq më tepër që ZRRE-ja në raportin e vet vjetor thotë që për shkak të rënies së kontributeve në të cilat ajo mbahet vet dhe për shkak të frustrimit të kuadrit sepse iu kanë rënë rrogat gati është bërë e pamundshme informimi normal dhe këtë e thotë në mënyrë eksplicite në pikën 13 në faqen 13 të atij raporti”.

“Do të thotë një ZRRE, e cila ka mbet me tre anëtarë të bordit të cilët nuk janë shumë afër çështjeve energjetike merr guximin dhe aprovon dokumente, kërkesa për rritje të energjisë dhe çështje më vitale të shoqërisë që momentalisht e kemi”, ka thënë Hoxha.