Vetëvendosje refuzon ofertën e koalicionit të LDK-së në Istog

Lëvizja Vetëvendosje,dega në Istog, përmes një komunikate të lëshuar gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur që ka refuzuar ofertën e LDK-së  për koalicion në qeverisjen komunale.

Lajme

23/01/2018 16:51

Përmes kësaj komunikate Vetëvendosje ka treguar për refuzimin e ofertës së LDK-së duke akuzuar këtë të fundit për vjedhje votash dhe qeverisje kriminale gjatë viteve të qeverisjes së saj, transmeton lajmi.net.

Sipas Vetëvendosjes, Kuvendi Komunal i Istogut është shëndrruar në pronë private të një klani të LDK-së me në krye Haki Rugovën, të cilët Vetëvendosje i konsideron përgjegjës për uzurpime të pronës në këtë komunë.

Kjo është komunikata e plotë e degës së Vetëvendosjes në Istog:

“Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Istog ka marrë kërkesë-ofertën e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Istog, për lidhjen e koalicionit ndërmjet këtyre subjekteve për ta siguruar shumicën e nevojshme në qeverisjen komunale gjatë katër viteve të ardhshme. Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! falënderon LDK-në për këtë ofertë, të cilën e ka shqyrtuar me kujdes, dhe pas analizës, si përgjigje ka sjellë këtë:

V E N D I M
Refuzohet, respektivisht hudhet poshtë, mundësia e hyrjes në koalicion të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Istog me LDK-në për qeverisje komunale.
A r s y e t i m:
Në mbledhjen e mbajtur më 21 janar 2018, Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Istog, së pari në vija të trasha ishte e prerë se lidhja e koalicionit me LDK-në në Istog për qeverisje komunale do të nënkuptonte aminstimin e krimeve të gjertanishme dhe atyre në vijim të cilat është i ngarkuar pushteti komunal i LDK-së në Istog. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk dëshiron të bëhet pjesë e krimit. Në sqarimin e mëtejmë për Vendimin e marrë dhe Arsyetimin e dhënë, Kryesia e lartëcekur numëroj, po jo të gjitha, krimet e LDK-së në Istog, si vijon:
• Manipulimi dhe vjedhja e votave në zgjedhjet e 22 tetorit 2017, me ç’rast LDK merr 795 vota të porositura nga Serbia. Në bazë të atyre votave të mbushura nga një apo dy serbë, LDK siguron një numër deputetësh për Kuvendin Komunal dhe epërsi për kryetarin aktual të K.K. të Istogut, Haki Rugova. Dhe si rrjedhojë e ketij importimi të votave nga Serbija në K.K. të Istogut sot ka tre asambleist serb dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! në Istog ka humbur një asambleist nga tre të fituar në zgjedhjet e 22 tetorit 2017.
• K. K. i Istogut është shndërruar në pronë private të një klani të LDK-së me në krye Haki Rugovën, të cilët janë përgjegjës për uzurpime të pronës komunale dhe publike.
• Keqpërdorimi i buxhetit të Komunës për interesa private të Haki Rugovës, duke e përndarë atë në masë për familjrët e Haki Rugovës.
• Degradimi dhe shkatërrimi sistematik i ambientit siç është prerja masive e pyjeve dhe gërmimet e tokës, ku ndërmarrjet gurëthyese janë pjesë e LDK-së, respektivisht të Haki Rugovës.
• Kriminalizimi i arsimit deri në vepra penale dhe praktika e ngacmimeve seksuale që ka arritur edhe brenda vetë ndërtesës së Kuvendit Komunal të Istogut.
• Manipulimet shumta në zyrën e prokurimit publik me tendërët, ku përmes vjedhjeve të buxhetit shumë projekte të infrastrukturës publike kanë mbetur në gjysmë.
• Punësimet dhe përjashtimet pa baza ligjore nga LDK-ja nëpër institucionet komunale dhe publike në Istog.
• E shumë të tjera.
Prandaj, Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Qendra në Istog, vendosi si në Vendimin e lartëcekur, pra që të mos bëjë koalicion me LDK-në, sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me parimet dhe programet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe në kundërshtim me çdo etikë politike, komunale, morale dhe të qeverisjes.
Vendimi i tillë i komunikohet Kryesisë së LDK-së në Istog, Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, medieve, dhe opinionit publik.
Istog.”