Vetëvendosje për Prishtinën

Shpend Ahmeti, në një takim me media, ka prezantuar disa politika të cilat konsideron se janë të dobishme për përmirësimin e gjendjes në Kryeqytet, ndërkohë që ka konstatuar se në Prishtinë, por në përgjithësi edhe në Kosovë, ekziston një proces i mbyllur i qeverisjes. Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën në zgjedhjet e 3 nëntorit ka…

Lajme

11/09/2013 19:46

Shpend Ahmeti, në një takim me media, ka prezantuar disa politika të cilat konsideron se janë të dobishme për përmirësimin e gjendjes në Kryeqytet, ndërkohë që ka konstatuar se në Prishtinë, por në përgjithësi edhe në Kosovë, ekziston një proces i mbyllur i qeverisjes.

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën në zgjedhjet e 3 nëntorit ka përmendur se tashmë në të gjitha praktikat, si në Europë ashtu edhe në SHBA, janë ndërmarrë iniciativa të hapjes së pushtetit ndaj publikut.

Ai ka thënë se çdo Kryetar Komune duhet t’u japë llogari qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për praktika të reja të cilat bazohen në hapje të procesit. Çdo projekt që do të iniciohet nga Komuna e Prishtinës do të bazohet në këtë parim të hapjes së procesit ndaj qytetarëve, shoqërisë civile, Agjencionit Anti-Korupsion dhe të gjitha palëve tjera të interesuara.”

“Me ligj në Kosovë Agjencioni Anti-Korrupsion nuk e ka detyrë vetëm gjetjen e konfliktit të interesit, por edhe parandalimin e tij.”

“Për këtë arsye, sipas ligjit, ata duhet të jenë prezentë në çdo prokurim publik dhe hapjen e ofertave.”

Depolitizimi në punësim përmes aplikimit anonim është një praktikë tjetër që Shpend Ahmeti thotë se do ta aplikojë, nëse ai ia del të qeverisë në Prishtinë.

“Viteve të fundit, për shkak të diskriminimit që është bërë në forma të ndryshme, në shumë shtete është zbatuar një praktikë që ne synojmë ta zbatojmë në Komunën e Prishtinës dhe ajo është e aplikacioneve anonime.”

Ahmeti ka thënë se Komuna do t’i ofrojë shërbimet e saj edhe në formë elektronike, se aktivitetet kryesore dhe seancat e Kuvendit Komunal do të incizohen dhe do të publikohen në kanalin zyrtar të Komunës së Prishtinës në YouTube, e po ashtu Komuna do ta respektojë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.