Vetëvendosje, për hyrje në koalicion vendos me referendum të brendshëm

Lëvizja Vetëvendosje është pjesë e bllokut opozitar, të cilat janë pajtuar që të mos lejojnë qeveri “Thaçi 3”, por ky subjekt ende nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me LDK-në, AAK-në dhe Nisma-në, për mbështetjen e këtij koalicioni, e eventualisht hyrjen edhe vetë në të. Por nëse arrihet deri në këtë pikë, VV do të kërkojë mendimin e anëtarësisë, përmes një referendumi të brendshëm. 

Lajme

27/06/2014 22:49

Vetëvendosje thotë se bisedimet me grupin opozitarë, për të mos lejuar qeverinë “Thaçi 3”, përbëhen prej tri fazave. Për të parën ata janë pajtuar. E ajo është që t’i thuhej jo qeverisjes edhe për një mandat, me kryeministër Hashim Thaçin.

Ndërsa faza e dytë është ajo e kushteve që VV ka kërkuar të pranohen nga LDK-AAK dhe Nisma, e që kanë të bëjnë me ndërprerjen e dialogut, të formatit aktual me Serbinë dhe mos privatizimin e PTK-së dhe KEK-ut.

Nëse koalicioni LDK-AAK-Nisma, i pranon këto kushte, atëherë ata do të marrin votat e VV-së për ta bërë qeverinë, edhe nëse kjo e fundit nuk hynë fare në të.

Faza e tretë, ku VV do të mund tw bëhej pjesë e qeverisë, përfshinë pajtimin që koalicioni i tri partive tjera, do të duhej të jepte karshi planit qeverisës që partia e Albin Kurtit do të paraqiste.

Por, përveç kësaj, edhe nëse VV dhe LDK-AAK-Nisma, do të pajtoheshin për të tri pikat, në fund fare do të ishte dikush tjetër, që do të merrte vendimin final, për përfshirjen e lëvizjes së Kurtit, në koalicion paszgjedhor apo jo. 

Kjo parti e ka të përcaktuar me statut se, vendimi për koalicion paszgjedhor, merret përmes një referendumi të brendshëm.

Zëdhënësi i VV-së, Erzern Vraniqi, në një prononcim për lajmi.net, e konfirmon këtë, duke thënë se, ende është herët për të folur për përfshirjen në qeveri të VV-së, pasi kjo do të diskutohej tek në fazën e tretë, e tani ende ata janë duke pritur përgjigjen e LDK-AAK-Nisma-s, për kushtet e fazës së dytë.

Por nëse ndodhë pranimi i këtyre kushteve nga partitë e Mustafës, Haradinajt dhe Limajt, atëherë do të mund të kalohej në fazën e tretë, ku VV do të shqyrtonte mundësinë e përfshirjes në koalicion qeveritarë.

Në këtë rast sipas zëdhënësit Vraniqi, VV do të organizonte një referendum të brendshëm, i cili është i paraparë në bazë të statutit, e ku të drejtë vote do të kishte secili anëtar i subjektit. (lajmi.net)