Vetëvendosje: Nuk lejojmë emërtimin Mitrovicë e Jugut

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj një vendimi që thuhet të jetë nxjerr nga ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariq. Me këtë vendim, me bazë pakon e Ahtisaaarit, Vetëvendosje thotë se Mitrovica ndahet në dy pjesë dhe Mitrovica e Jugut njihet si komunë.

Lajme

11/02/2016 17:41

Asamblisti i VV-së në këtë komunë dhe përfaqësues i VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, ka thënë në një konferencë për medie se ky vendim rrjedh nga pakoja e Ahtisaarit, që është kundërshtuar në vazhdimësi nga kjo lëvizje.

“Shpreh pakënaqësinë dhe jogatishmërinë e pranimit të një vendimi të ministrit te PL, Ljubomir Mariq, i cili kërkon nga Mitrovica që nga tash e tutje të legjitimojë emërtimin Mitrovica e Jugut apo Mitrovica Jugore, që sipas neve buron nga pakoja e Ahtisaarit – nga pakoja e famshme ndaj të cilës kundërshtimi jonë ka qenë i përhershëm – dje ka qenë përvjetori i protestave më të mëdha të organizuara. Ky është edhe një hap në procesin domino të ndarjes faktike të Mitrovicës e me këtë edhe të Kosovës. Kjo është ndër elementet shtesë duke filluar nga kërkesa e kryetarit të pjesës veriore Rakiq për rikonfigurimin kufitar dhe ndërkomunal veri dhe jug. Tash është emërtimi i cili faktikisht asocion në ndarje jug dhe veri, që tregon thjeshtë se dalëngadalë po zhytemi në ndarje duke e ndarë Mitrovicën, jo vetëm në dy komuna por duke e ndarë në dy rregullime, pothuajse shtetërore”, ka deklaruar ai.

Mujka ka theksuar se VV do të jetë kategorike në kundërshtimin e këtij vendimi.

 

Kurse, Aida Dërguti, deputete e Parlamentit të Kosovës, është shprehur se VV i ka parashikuar këto probleme që nga viti 2006, kur pakoja e Ahtisaarit negociohej në Vjenë.

“VV i ka parashikuar dëmet e pakos së Ahtisarit qysh në vitin 2006 kur po negociohej në Vjenë pakoja e Ahtisaarit. Kjo është vetëm njëra nga elementet e asaj pako e cila e dëmton rëndë shtetin e Kosovës dhe e cila në emër të integrimit të serbëve i ka shkaktuar një dëm shumë të madh duke e bërë ndarjen në vija etnike brenda për brenda Kosovës. Praktikisht, Serbia e cila nuk e ka njohur as pakon e Ahtisaarit e nuk ka njohur as pavarësinë e Kosovës, e bashkë me Serbinë as Lista Srpska, që sot ndodhet brenda institucioneve të Kosovës, i ka shfrytëzuar këto të dy, e kanë shfrytëzuar pakon e Ahtisaarit si mekanizëm për të realizuar ndarjen etnike brenda Kosovës. Pra, edhe pse nuk e kanë njohur pakon e cila i themelon këto komuna e në kuadër të këtyre komunave e themelon edhe komunën veriore të Mitrovicës, e shfrytëzon këtë dhe dëshiron që ta implementojë dhe shkon edhe më tutje se këto komuna i nevojiten për themelimin e Zajednicës që tashmë e kemi në marrëveshje aktuale dhe e cila sot bëhet si bazament i asaj që mund të presim në të ardhmen, e që tashmë e kemi shembullin e Bosnjës”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, deputetja Dërguti tha se lidhur me këtë çështje ende nuk është marrë ndonjë vendim për ndonjë protestë apo kundërshtim të caktuar, por tha se për këtë do të njoftoheni në ditët e ardhshme.