Vetëvendosje nuk i beson Thaçit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se thirrja e Kryeministrit Thaçi për t’iu kthyer reformës është “hedhje hi syve qytetarëve”. Vetëvendosje insiston për ta rrëzuar Qeverinë dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

26/01/2014 10:37

Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë thirrje për përfundimin e reformës zgjedhore, gjatë muajit shkurt, pas bllokimit të këtij procesi në mungesë të konsensusit politik për ndryshimet kushtetuese.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se thirrja e Kryeministrit Thaçi për t’iu kthyer reformës është “hedhje hi syve qytetarëve”.

“Thirrja e Thaçit që t’i kthehemi reformës nuk është e sinqertë, madje është hedhje hi syve qytetarëve”.

Haxhiu thotë se nuk beson në qasje serioze ndaj reformës, e cila ka rrjedhur si pasojë e marrëveshjes Thaçi-Pacolli-Mustafa të prillit të 2011.

Kjo, sipas saj,  është “marrëveshje farsë”.

“Ne nuk presim një qasje serioze nga ata që degraduan vullnetin e qytetarëve”.

“U dëshmua që reforma zgjedhore, si pjesë e marrëveshjes, ishte një farsë, e cila veçse ia zgjati jetën Qeverisë Thaçi 2 dhe e nxori nga zarfi deri më atëherë një person anonim për publikun, e cila u zgjodh Presidente e vendit”.

“Për këtë ka përgjegjësi edhe LDK, si pjesë e kësaj marrëveshjeje, dhe AAK që e pranoi këtë marrëveshje”.

Albulena Haxhiu thotë se të gjitha propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje për reformë zgjedhore tashmë po pranohen nga subjektet politike, edhe pse me vonesë.

“Lëvizjes Vetëvendosje ka qëndrim të njëjtë sa i përket reformës zgjedhore dhe tani po shihet se të gjitha propozimet tona po pranohen edhe nga subjektet tjera, por me vonesë”.

“Qëndrimi ynë që nga fillimi ka qenë për një zonë zgjedhore, që pragu të jetë 7.5%  për koalicionet, 5% për subjektet politike dhe 2.5% për kandidatët e pavarur, listat të jenë të hapura dhe mos t’u vazhdohet mandati vendeve të rezervuara për minoritetet”.

Deputetja Haxhiu përsërit edhe një herë idenë për rrëzimin e Qeverisë që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Lëvizjes Vetëvendosje insiston në rrëzimin e kësaj Qeverie dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thotë Albulena Haxhiu për lajmi.net.