Vetëvendosje nuk e ftoi PSD-në në protestë, ja çfarë thotë partia e Shpend Ahmetit

​Partia Socialdemnokrate ka reaguar pas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje se do të organizohet protestë më datë 29 shtator, në të cilën kanë ftuar për pjesëmarrje gjithë partitë politike dhe qytetarët. PSD thotë se nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje në ndonjë protestë nga asnjë subjekt politik.

Lajme

18/09/2018 17:36

Zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi, përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook ka bërë të ditur se PSD’ja nuk është ftuar në ndonjë protestë nga asnjë subjekt politik, duke iu referuar kështu protestës së thirrur nga Vetëvendosja.

Kuçi ndër tjerash ka thënë se çështja e dialogut meriton një trajtim më serioz nga opozita.

“Përveç pajtimit për qëndrimet për çështje të caktuara, veçanërisht për dialogun, duhet të kemi pajtueshmëri edhe për metodat e kundërshtimit. Nuk është e drejtë, madje është kundërproduktive që të vendosen subjektet politike para aktit të kryer. Kjo është për t’ua mohuar sujektivitetin. Është tepër e dëmshme si për bashkëpunimin, ashtu edhe për kundërshtimin, nëse këto synohen të bëhen përmes desubjektivizimit e përçmimit të tjetrit bashkëpunues”, ka shkruar Kuçi.

Ajo ka theksuar se PSD nuk mund të shkojë prapa organizimeve partiake, në të cilat nuk është ftuar dhe nuk janë të njoftuar me qëllimin dhe synimin e atij organizimi.

Kuçi ka deklaruar se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mund të ndalet vetëm me një opozitë të bashkuar, duke bashkëpunuar me strukturat e gjëra shoqërore dhe qytetarët, pasi sipas saj, e kundërta I konvenon vetëm projektit të tij (Thaçit).