Vetëvendosje merr pjesë në tryezën e partisë së Shpend Ahmetit

Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit do të organizojë të hënën tryezën e rradhës me partitë politike.

Lajme

14/06/2018 12:21

Tryeza e parë e këtij lloji ishte organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën ishin të pranishme të gjitha subjektet parlamentare në vend, shkruan lajmi.net.

E këto tryeza ishin thirrur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, mirëpo nga kjo e fundit formati ishte caktuar ndryshe, ngase si temë e vetme diskutimi ishte vënë arritja e një konsensusi politik për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Edhe pse Vetëvendosje kishte cilësuar se këto tryeza po janë jo produktive, ajo siç duket ka vendosur t’i  përgjigjet thirrjes së deputetëve që dikur ishin pjesë e kësaj partie.

Deputetja nga rradhët e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë për lajmi.net se sipas të gjitha gjasave subjekti ku ajo bën pjesë do të marrë pjesë në tryezën e PSD-së.

“Besoj se do të marrim pjesë, edhe pse për vendimin përfundimtar do të informoheni me kohë, mirëpo besoj se do të marrim pjesë”, ka thënë Kollçaku.

Kujtojmë, se Vetëvendosje i është përgjigjur negativisht vetëm tryezës së thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës./Lajmi.net/