Vetëvendosje ka arsye për kundërshtimin e iniciativës së LAN-it

Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka një marrëveshje për bashkëpunim me koalicionin LAN, nuk i është bashkuar sot iniciativës së këtij koalicioni për të kërkuar sqarime shtesë nga Presidentja e vendit.

Lajme

23/10/2014 18:31

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi ka deklaruar për “Epokën e re” se VV-ja aktgjykimin e Kushtetueses e konsideron si politik, andaj sipas tij, nuk mund të kërkohen sqarime nga institucionet e kapura.

“Lëvizja Vetëvendosje aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e konsideron vendim politik të anshëm. Ky Aktgjykim nuk ka sjellë zgjidhje kushtetuese, por vetëm sa e ka kristalizuar dirigjimin politik i cili fillon nga zyra e Kryeministrit në ikje e deri në sallën e gjykimeve ku do të duhej të ndahet drejtësia. Për më tepër, ne besojmë se ky Aktgjykim ka cenuar rëndë thelbin e demokracisë e shprehur në aktivitetin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës dhe deputetëve si trupi politik përfaqësues, Prandaj, duke e konsideruar si aktgjykim politik, ne nuk mund të kërkojmë sqarim as nga presidentja e aq më pak nga Gjykata Kushtetuese, si institucion i kapur, andaj edhe nuk i jemi bashkuar kësaj iniciative të sotme”, ka thënë Vraniqi.

Shkresa që i është drejtuar Presidentes për të kërkuar sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetueses për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është nënshkruar nga lideri i LDK-së, AAK-së dhe ai i Nismës.