Vetëvendosje insiston në rishikimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë

Për Lëvizjen Vetëvendosje parimet që ndërkombëtarët kanë vënë si kushte për Qeverinë e ardhshme, nuk janë ato me të cilat ky subjekt do të veprojë. Kjo lëvizje ka parimet e veta me anë të së cilave planifikojnë të qeverisin vendin në katër vitet e ardhshme. 

Lajme

02/10/2014 10:04

Gazeta Tribuna shkruan se janë pesë parime (të kërkuara nga faktori ndërkombëtar) mbi të cilat institucionet e Kosovës duhet të formohen.

Tri prej tyre kanë të bëjnë me vetë aktin e themelimit, kurse dy parime tjera me politikat qeverisëse.

Fillimisht, kërkohet që kryetari i Kuvendit të zgjidhet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, së dyti, që presidentja të nominojë mandatarin e qeverisë në të dyja rastet vetëm duke u mbështetur në aktgjykimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese dhe së treti që koalicioni i ardhshëm qeverisës të jetë gjithëpërfshirës, që nënkupton që pjesë e tij të jetë edhe Lista Serbe.

Ndërsa dy parimet tjera mbi të cilat ky koalicion duhet të ndërtohet sa i përket anës ndërkombëtare kanë të bëjnë me shprehjen e gatishmërisë për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, dhe së dyti shprehjen e zotimit për zbatimin e procesit integrues euro-atlantik.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë marrëveshja e arritur ndërmjet LAN dhe Vetëvendosjes, është ndërtuar mbi bazën e parimeve e të cilat kanë qenë edhe kusht për lidhjen e kësaj “bashkëjetese”.

Ajo për çka Molliqaj zotohet është dialogu përmbajtjesor siç e ka quajtur ai me Brukselin, në mënyrë që vendi të vazhdojë rrugën e tij drejt integrimeve euro-atlantike, por edhe dialogu me serbët e Kosovës.   

Molliqaj po ashtu ka thënë se parimi i vendosur nga ndërkombëtarët që në qeverinë e ardhshme të përfshihet edhe Lista Serbe nuk është i domosdoshëm, porse për përfaqësimin e strukturave serbe në qeverisje nuk ka dilemë.

Por Molliqaj ka insistuar se do të rishikohen marrëveshjet që janë bërë në dëm të vendit në dialog me Serbinë, gjë që është e papranueshme për ndërkombëtarët, të cilët kanë kërkuar të ndryshojë dialogu pa ndryshuar asgjë nga ajo që është arritur deri më tani.