Vetëvendosje e vlerëson të rregullt procesin zgjedhor

Vetëvendosje u bën thirrje qytetarëve që të dalin masivisht që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.

Lajme

08/06/2014 18:17

Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson procesin zgjedhor deri më tani si një proces të rregullt në përgjithësi.

Nën jë komunikatë të kësaj Lëvizjeje thuhet se ka pasur probleme përgjithësisht të vogla, por jo në masë të madhe.

“Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson procesin zgjedhor deri më tash si një proces të rregullt në përgjithësi. Ka pasur probleme përgjithësisht të vogla, por jo në masë shqetësuese. Deri më tani vëzhguesit dhe komisionarët e kanë bërë punën e tyre në mënyrë të kënaqshme, dhe shpresojmë që në bashkëpunim me gjithë institucionet, procesi të vazhdojë i rregullt deri në fund.

“Ne bëjmë thirrje që secili qytetar të shfrytëzojë maksimalisht çdo minutë të mbetur deri në orën 19:00 e cila është ora kur përfundon orari zyrtar i zgjedhjeve.

“Midis opsioneve zgjedhore ata duhet të zgjedhin çka besojnë se është më e mira, dhe duhet të aktualizojnë vullnetin e tyre. Kjo është një detyrë qytetare ndaj demokracisë e ndaj republikës në Kosovë”.

“Lëvizja Vetëvendosje është duke e ndjekur procesin me shumë kujdes, dhe do të monitorojë deri në fund për të shmangur çdo parregullsi apo pengesë eventuale e për ta bërë sa më të lehtë procesin e votimit për secilin votues. Shpresojmë që këtë ta bëjnë edhe partitë e tjera. 8 qershor 2014 Shtabi Zgjedhor Lëvizja Vetëvendosje”.