Vetëvendosje dhe LDK as sot nuk treguan nëse do të shkojnë ose jo te presidenti

Presidenti Hashim Thaçi të hënën në orën 10 ka caktuar takim me të gjitha partitë parlamentare për t’u konsultuar rreth mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

20/07/2017 22:57

Deri me tash shkuarjen në këtë takim e kanë konfirmuar PDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe partitë minoritare, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja me partitë e koalicionin AKR dhe Alternativa.

Edhe pse Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë thënë se sot do të njoftojnë zyrtarisht nëse do të shkojnë apo jo të presidenti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kur ora po shënon 23, shkruan lajmi.net.

Shkodran Hoti, zëdhënës i VV-së ka thënë dje se sot do të dalin me qëndrim zyrtar, njëjtë siç kishte thënë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Mirëpo, Haziri sot “nuk është bërë i gjallë”. Ai nuk është përgjigjur në telefonatat tona për të treguar se çfarë do të bëjë LDK-ja.

Po ashtu partia e Hazirit dhe aleatët sot janë takuar, mirëpo nuk e kanë bërë të qartë qëndrim.

Në disa raste edhe VV-ja edhe LDK-ja e kanë kritikuar presidentin, duke thënë se nuk ka qenë i nevojshëm ky takim konsultativ dhe se presidenti po blenë koha për PAN-in.

Ndërkaq burime të lajmi.net kanë thënë se presidentit pritet ta thërras seancën konstituive të premten e 28 korrikut. /Lajmi.net/