“Vetëvendosja”, “e pavendosur” për koalicion me Shpend Ahmetin

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës pas largimit nga lëvizja “Vetëvendosje”, megjithatë zyrtarët e kësaj partie thonë se në ditët në vijim Këshilli i Përgjithshëm i Partisë do të vendosë nëse do të bëjë koalicion me Ahmetin.

Lajme

16/03/2018 09:07

Pas largimit nga lëvizja “Vetëvendosje” kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka mbetur pa “krahë” në qeverisjen e kryeqyteti, pasi nuk e ka përkrahjen e anëtarëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal.

Për këtë arsye është përfolur se mes Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes” mund të ndodhë një koalicion i mundshëm për qeverisjen e Prishtinës.

Këshilli i Përgjithshëm i “Vetëvendosjes” pritet që në ditët në vijim të vendosë nëse do të bashkëpunojë me Shpend Ahmetin për qeverisjen e kryeqytetit apo nëse do të dalë në opozitë, shkruan Zëri.

Ndërkohë asamblistët e “Vetëvendosjes” thonë se pavarësisht që Ahmeti është larguar nga “Vetëvendosja” ata do t’i mbështesin vendimet, të cilat janë në të mirë të qytetarëve.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të lëvizjes “Vetëvendosje” Ismajl Kurteshi ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie do të diskutojë për çështjen e Prishtinës.