Veteranët të hidhëruar që nuk u ftuan nga Kuvendi për transformimin e FSK-së

Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës që të mos ftojë përfaqësuesit e kësaj organizate në seancën në të cilën të enjten u votua transformimi i FSK-së.

Lajme

19/10/2018 09:03

OVL e UÇK-së thotë se me këtë veprim Qeveria, Ministria e mbrojtjes dhe Kuvendi treguan se kanë fundosur dijen dhe se lënia anash e kësaj organizate është cenim i të drejtës së tyre që komprometon vetëdijen historike e kombëtare.

“Për mos ftesë nga Kuvendi i Kosovës ditën kur u miratua projekligji për formimin e FAK-ut Ne si Organizatë e Veteranëve të UÇK-së, pjesëtarë të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare, dëshmitarë të Epokës ‘97/’98/’99, jemi të prekur thellësisht për anashkalimin tonë që të jemi prezent në ditën kur Parlamenti i Kosovës aprovoi ligjin për transferimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL së UÇK-së.

“Me këtë veprim, Qeveria, Ministria e Mbrojtjes dhe Parlamenti i Kosovës, treguan se kanë fundosur dijen, vetëdijen, drejtësinë, ndërgjegjshmërinë në institucionet e Kosovës! Anashkalimi i përfaqësuesve të OVL-së në këtë ditë të shumëpritur, është cenim i të drejtës tonë dhe vepër antikombëtare që komprometon vetëdijen historike e kombëtare! Qeveria e qeveritarët, Ministria e ministrat, Kuvendi e kuvendarët është dashur ta dinë se Ushtria e Kosovës u bë dhe u vulos në Prekaz me kryekomandantin Adem Jashari, i cili me luftën dhe sakrificën e pashembullt në historinë e njerëzimit vuri bazamentin e Ushtrisë, duke ndërruar jo vetëm kushtetutën por historinë dhe duke i treguar Serbisë dhe krejt botës se Kosova ka Ushtri që i del për zot atdheut”, thuhet në reagimin e krerëve të veteranëve.

OVL e UÇK-së në fund ka përmendur edhe, siç kanë thënë ata, një fakt historik se më 5 prill të vitit 1993, në shtëpinë e Adem Jasharit ishte mbajtur një takim i rëndësishëm në të cilin morën pjesë edhe disa veprimtarë politikë.

“Në këtë takim, u vendos që të zgjerohet formacioni ushtarak i Adem Jasharit. Pikërisht në këtë takim Adem Jashari propozon që aksionet që kryheshin në Kosovë, të bëhen në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë takim, Adem Jashari u emërua Komandant i Ushtrisë së Kosovës. Sulmet mbi forcat policore serbe tashmë kishin një koordinim. Nga koordinimi, zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura, në vitin 1993, krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës)”, thuhet në reagim.

Të enjten në Kuvendin e Kosovës u miratuan tri ligje me të cilat i hapet rrugë transformimit të FSK-së në Ushtri.