Veteranët në pritje

Ngërçi politik në Kosovë ka prekur edhe Universitetin e Prishtinës. Organet e rektoratit të UP-së kanë mbetur të varura nga Qeveria e Kosovës lidhur me memorandumin e bashkëpunimit që Universiteti i Prishtinës kishte nënshkruar me shoqatat e dala nga lufta.

Lajme

12/12/2014 10:28

Ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se në mbledhjen e parë të Qeverisë së re do të diskutohet lidhur me memorandumin dhe se javën tjetër pritet që veteranëve tu jepet një përgjigje lidhur më atë se a do të pranohen më shumë se njëmijë studentë të shoqatave të dala nga lufta apo jo.

“Po pritet mbledhja e parë e qeverisë ku kjo gjë do të diskutohet. Tani për tani nuk ka asnjë lajm”, ka thënë Arsim Bajrami për gazetën Tribuna.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Shefkije Islami, tha se tani për tani asnjë vendim brenda Rektoratit nuk është marrë lidhur me memorandumin e OVL-së.

“Ne ende nuk kemi mbajtur ndonjë mbledhje për shkak të ndërrimit të qeverive. Pas herës së parë që jemi mbledhur të nesërmen u formua qeveria tash ministritë janë ndërruar. Nuk e dimë nëse javën tjetër do të kryen punët”, ka thënë Islami.

Edhe për përfaqësuesin shoqatave të dala nga lufta ngërçi institucional dhe ndërrimi i shefave të ministrive ka bërë që ende të mos jepet një përgjigje e saktë lidhur me vendimin e ministrit për memorandumin.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Smajl Elezi ka thënë se janë duke i pritur funksionalizimin e institucioneve të reja, të cila do të mund të jepnin një përgjigje lidhur me këtë punë.  

“Ka pasur krizë institucionale, nuk jemi të informuar. Tash po shikojmë institucionet e reja”, ka thënë Elezi.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë e protestave nëse familjarët e tyre nuk pranohen në UP. “OVL është këmbëngulëse në interesat e veta për realizimin e regjistrimit të këtyre nxënësve. Po presim vendim dhe përkrahje nga ministri i ri Arsim Bajrami i cili pritet që të vazhdoj punën e atij që e ka lënë në gjysmë”, ka thënë Elezaj.