Veteranët e UÇPMB-së të zhgënjyer me prokurorinë, kërkojnë rishikimin e listave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktakuzën për listat e veteranëve të cilët ajo konsideron se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione. Numri i tyre kap shifrën prej 20 mijë, ndërkaq që aktakuzë është ngritur ndaj pjesëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit.

Lajme

18/09/2018 16:49

Lajmi.net gjatë këtyre ditëve ka publikuar pjesë të aktakuzës e cila është dërguar në Gjykatë për rastin “veteranët”.

Si pjesë e kësaj aktakuze janë publikuar dhe listat e veteranëve të cilët Prokuroria i ka cilësuar si mashtrues, dhe të cilët pa të drejtë kanë përfituar pensionet.

Sipas prokurorisë, keqpërdorime dhe manipulime janë vërejtur edhe në zonën e Luginës së Preshevës. Si veteranë “mashtrues”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka listuar gjithësej 207 pjesëtarë që pretendonin se ishin pjesë e UÇPMB-së.

Lexo edhe:

Veteranët e UÇPMB-së që përfituan kundërligjshëm pensione, sipas prokurorisë (EMRAT)

Lajmi.net ka kontaktuar sot me kryetarin e OVL UÇPMB-së, Nazmi Hajredinin. I njëjti ka thënë se Prokuroria nuk guxon të prekë mbi veteranët e vërtetë të luftës, dhe se ata të cilët janë përgjegjës krijimin e kësaj situate duhet të japin përgjegjësi.

“Veteranët e vërtetë nuk guxojnë të preken, ata të pandershmit duhet të japin përgjegjësi bashkë me atë që me vetëdije i kanë futur në lista”, ka thënë Hajredini.

Megjithatë, Hajredini ka potencuar se ai nuk është në dijeni se ka pasur keqpërdorime edhe në listat e UÇPMB-së, pasi sipas tij nuk është dhënë llogari në organizatën që ai udhëheqë.

“Ne nuk jemi në dijeni për këto keqpërdorime, pasi që neve nuk na japin llogari si zyrë e OVL UÇPMB-së në Kosovë Lindore”, ka thënë ai.

Tutje Hajredini ka thënë se Prokuroria e Kosovës duhet të bëjë rishikimin e këtyre listave dhe të kërkojë një verifikim të saktë pa ngjyrime politike dhe partiake.

Kujtojmë, që sipas prokurorisë rreth 20 mijë veteranë të rrejshëm buxhetit të Republikës së Kosovës, i kanë shkaktuar dëme në shumë prej 68.153.533.14 euro./E.Dragaj/Lajmi.net/