Veteranët e UÇK’së synojnë politikën

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, nuk përjashton mundësinë që kjo organizatë të garojë në zgjedhjet parlamentare me një listë zgjedhore.

Lajme

23/11/2013 10:55

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK’së Muharrem Xhemajli ka paralajmëruar se kjo organizatë mund të garojë me një listë zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Sipas tij, një gjë e tillë do të ndodhë në rast se deri në zgjedhjet parlamentare nuk bëhet verifikimi i veteranëve dhe miratimi i Ligjit për Vlerat e Luftës së UÇK’së.

“Ekziston një ide, që në zgjedhjet e përgjithshme OVL-UÇK-ja të dalë me një listë zgjedhore. Pra, është duke u diskutuar që edhe OVL-UÇK-ja të marrë pjesë në zgjedhjet nacionale për t’u bërë pjesë e Kuvendit në mënyrë që t’i mbrojë interesat e veteranëve të luftës çlirimtare”, ka thënë Xhemajli në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re”.

Ai është shprehur i shqetësuar me trajtimin institucional të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Sipas tij, veteranët e luftës së UÇK-së janë duke u përballur me probleme të shumta.

“Disa prej tyre ballafaqohen me mungesë të kushteve elementare për jetesë. Po ashtu, veteranët ballafaqohen edhe me probleme shëndetësore dhe psikologjike. Tani tek veteranët kanë filluar të ndihen edhe pasojat e luftës. Si rezultat i gjithë kësaj, kemi rreth gjashtë mijë veteranë të cilët jetojnë pa asnjë lloj ndihme dhe pas asnjë lloj të ardhurash”, ka deklaruar Xhemajli.