Veteranët e UÇK-së s’(mërziten) fort për deklaratat e Jabllanoviqit

Në kohën kur po zhvillohen protesta të shumta për shkak se ministri Aleksandar Jabllanoviq i cilësoi protestuesit në Gjakovë si ‘egërsira’, OVL të UÇK-së ende nuk kanë dalë me deklarata publike rreth këtij rasti, ndërkohë që kanë mbajtur një sërë protestash kundër rektorit të UP-së ie paralajmërojnë që një një tjetër ta mbajnë edhe më 29 janar. 

Lajme

18/01/2015 13:00

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari thotë se ka pasur reagime, ndërkohë që ka sugjeruar që kjo çështje të drejtohet kah qeveria.

“Normal që ka pasë reagime, por kjo më mirë është që të orientohet ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse ai (Jabllanoviq) është ministër në Qeverinë e Kosovës dhe qeveria është ajo që duhet t’i marrë masat”, tha Jashari për KALLXO.com.

Megjithatë, në ueb faqen e OVL të UÇK-së www.veterani.net nuk gjendet asnjë reagim ndaj deklaratave të Jabllanoviqit.

Komunikata e fundit që figuron në këtë faqe është ajo e 6 prillit 2010, ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emblemën e Prizrenit.

Organizata e Veteranëve të UÇK-së e ka edhe një llogari të saj në Facebook dhe aty nuk shihet asnjë postim për deklaratat e ministrit Jabllanoviq.

I pyetur se a do të protestojnë OVL të UÇK-së, ai tha se iu janë drejtuar institucioneve rreth kësaj çështjeje, dhe nëse ato nuk ndërmarrin asgjë, atëherë nuk e përjashtojnë mundësinë që ta bllokojnë qeverinë.

“Ne iu kemi drejtuar institucioneve të vendit. Mirëpo, nuk do të thotë se nuk do të ndodhë kjo (protestat). Në qoftë se nuk ndërmerren masat nga Kryeministri ndaj një ministri që e ka në kabinetin e vet që bën fyerje kaq të rënda në adresë të nënave shqiptare, faktikisht për këtë problem dhe shumë probleme nuk do të ndalemi, do të protestojmë, nuk përjashtohet mundësia edhe për bllokimin e qeverisë”, ka deklaruar  Xhavit Jashari.

“Nuk do të mungojë asnjëherë reagimi ynë. Në fund të fundit, në qoftë se nuk marrin masa institucionet, ne jemi këtu dhe do të detyrohemi me marrë masa që fyerje të tilla të mos ndodhin ndaj nënave shqiptare”, ka shtuar ai. (KALLXO.com)