Veteranët e UÇK-së: Haziri po e politizon verifikimin e listave të veteranëve

"Ka ca ditë që Luta po bëhet luftëtar pas lufte. Deklaratat e tij nën ndikimin e alkoolit rreth publikimit të listave të veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve po irritojnë të gjithë ata që patën guximin të rreshtohen rreth UÇK-së dhe gjithë popullin që e ndihmoi lirinë e Kosovës" thuhet në reagimin e veteranëve të luftës së UÇK-së dega në Gjilan.

Lajme

14/02/2015 22:41

Në reagim thuhet se parulla të tilla kemi dëgjuar para lufte, gjatë luftës dhe po vazhdojnë edhe sot nga e njëjta orkestër e cila ka vetëm një qëllim, ta politizojë procesin, raporton rajonipress.

“UÇK në ZOK ka pas vijën komanduese, strukturën e organizuar ushtarake dhe ushtarët të cilët vullnetarisht iu kanë përgjigjur thirrjes në luftë për çlirim. Lufta e UÇK-së ka në themelin e lirisë Dëshmorët dhe Martirët e Kombit, por ka edhe dëshmitarët e gjallë – luftëtarët të cilët nuk do të lejojnë askënd që për motive politike të na pengojnë ndriçimin e të vërtetës. Lutës dhe gjithë atyre që janë në angazhime politike ju themi të mos e keqpërdorin pozitën e tyre të besuar nga qytetarët, por të presin procesin përfundimtar të verifikimit të listave”.

“Kush ka qenë luftëtar i vërtetë do ta vërtetojë përfundimi i verifikimit të listave duke marr parasysh edhe ankesat e atyre të cilët kanë aplikuar që për gabime teknike ka mundur tu bëhet padrejtësi”.

Në këtë reagim thuhet, se ata që kanë qenë pjesë e luftës e dinë shumë mirë se kush ka qenë pjesë e luftës e kush jo.

“Por, luftëtarët e vërtetë dhe qytetarët e dinë kush ka dezertuar, kush ka ikur përmes Bllacës dhe kush e ka lëshuar atdheun në kohët më të vështira. Veteranët e vërtetë presin përfundimin e verifikimit të listave, ndërsa sot për interesa tjera krrokasin individët si puna e Lutës”.

“Qytetarët e Zonës Operative të Karadakut që përfshinë katër Komuna (Gjilan, Viti, Dardanë dhe Artanë) e kanë përjetuar luftën i njohin mirë luftëtarët, por i njohin edhe ata që nuk i kanë parë gjatë luftës në këto territore”.

“Edhe njëherë kërkojmë nga Luta të merret me punët dhe përgjegjësitë që i ka në Komunë dhe të lërë komisionin në punën e vet në mënyrë që të gjithë t`i kryejnë detyrat që iu takojnë” thuhet në reagimin e veteranëve të luftës së UÇK-së dega në Gjilan. (rajonipress)