Vetëm zhvillimi ekonomik ndalon shpërnguljen e shqiptarëve nga Lugina

Përfaqësues të komunitetit të biznesit nga komuna e Bujanovcit të kryesuar nga kryetari i komunës, Shaip Kamberi, janë pritur në një takim nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, raporton Ekonomia Online.

Lajme

22/06/2017 12:29

Gjatë këtij takimi u kërkua që të ndihmohet Lugina e Preshevës përmes zgjerimit të bizneseve për të nxitur punësimin ngase të rinjve po ikin nga ajo pjesë për këtë arsye.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se vetëm zhvillimi ekonomik i Luginës së Preshevës mund të jetë garanci e qëndrimit të shqiptarëve atje.

“Ky takim po ndodh kur agjenda politike është ajo që e nxin hapësirën, por ky është një takim me rendësi të veçantë pasi që jemi në përgatitje për procesin e Berlinit kur dihet që këtë vit do të shpaloset plan për Ballkanin Perëndimor”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, për qeverinë e ardhshme partneriteti dhe mbrojtja e shqiptarëve në Serbi duhet të jetë prioritet.

“Vetëm zhvillimi ekonomik i Preshevës, Bujanovci dhe Medvegjës mund të jetë garanci e qëndrimit të shqiptarëve atje. Një ndër rekomandimet që do të dal nga ky takim është edhe organizimi i një konference si mundësi që bizneset e Kosovës të investojnë në atë pjesë si mundësi për punësim dhe zhvillim”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa Shaip Kamberi, kryetari i Bujanovcit, tha se për të gjitha këto vite nuk kemi pasur bashkëpunim ndërinstitucional dhe përmes këtyre takimeve po tentohet të krijohen bashkëpunime konkrete në mënyrë që të ndihmohet Lugina e Preshevës, pasi sipas tij, të rinjtë po ikin nga ajo pjesë për shkak të papunësisë

Ai tha se presin që përmes investimeve të bizneseve kosovare atje të nxitet punësimi, raporton EO.

“Lugina Preshevës po kalon ndër sfidat më të rënda që i ka pas në kohën moderne me një represion ekonomik. Nuk kemi arritur që të ndërtojmë një sistem të organizuar t’i ndihmojmë Luginës. Po tentojmë që të ndërtojmë partneritet në mes të bizneseve të shkëmbimit të përvojave në mënyrë që të nxitet punësimi atje sepse të rinjtë po na ikin. Shpresoj dhe besoj që këto takime të na ndihmojmë dhe shpresoj që një konferencë që do ta bëjmë shumë shpejt të ndërtojmë partneritete konkrete”, tha Kamberi.