Vetëm tri ministri të kompletuara më zëvendësministra

Qeveria e Kosovës në prag të muajit të gjashtë të saj po hyn pa u kompletuar krejtësisht.

Lajme

24/05/2015 14:30

Nga 20 ministri, sa ka qeveria e kryeministrit Isa Mustafa, vetëm tri prej tyre janë të kompletuara me nga dy zëvendësministra.

Mos kompletimin e kabinetit qeveritar e ka pranuar edhe zëdhënësi i qeverisë, njëherësh ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili për KosovaPress, në një përgjigje përmes mesazhit telefonik, përveç që ka konfirmuar mos kompletimin e kabinetit qeveritar, ka thënë se kjo do të ndodhë së shpejti.

Kjo vonesë për gati gjashtë muaj po vlerësohet si pjesë e pazareve politike të bëra në mes të PDK-së dhe LDK-së të cilat bashkë-qeverisin vendin.

Për Frashër Krasniqin, nga Vetëvendosje, kjo qeveri duke u themeluar në bazë të ndarjes së privilegjeve dhe pozitave të caktuara, padyshim që do të ndikojë edhe në ndarjen e pozitave të zëvendësministrave.

Ndërsa Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë ka thënë se është praktikë e Qeverisë që vendet e rezervuar t’i ketë për aktivistë të partive politike dhe jo për profesionistë. Mos kompletimi i kabinetit qeveritar tregon për mungesën e seriozitet që ka koalicioni qeverisës karshi qytetarëve./Kosovapress/