Vetëm në janar, 8 të infektuar nga gripi i derrit

Vetëm brenda një muaji tetë veta janë prekur nga virusi AH1N1, i njohur si gripi i derrit.

Lajme

04/02/2015 19:45

Sipas të dhënave të Klinikës Infektive të QKUK-së, nga 15 persona, të cilët ishin hospitalizuar gjatë muajit janar, gjysma prej tyre kanë rezultuar të jenë prekur nga gripi i derrit. Katër prej pacientëve të prekur nga ky virus janë fëmijë, raporton KTV.

Megjithatë, drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani thotë se gjendja e pacientëve është jashtë rrezikut për jetë dhe nuk ka vend për panik.

Derisa vendet në rajon si Shqipëria janë përfshirë nga një epidemi e gripit, infektologët në Kosovë nuk parashikojnë ndonjë valë të madhe të paraqitjes së rasteve me grip sezonal dhe atij të derrit.

Kreu i kësaj klinike thotë se kjo klinikë qëndron mirë e furnizuar me barna si për gripin sezonal ashtu edhe për atë të derrit në rast se vendi rrezikon të përfshihet nga një epidemi.

Gripi i derrit është një sëmundje që atakon sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat.