Vetëm Messi mund ta ndal Messin

Haris Medunjanin thotë se Lionel Messi është e pamundur të ndalet. Futbollisti boshnjak shton se ylli argjentinas mund ta ndal vetëm vetveten, pas fitores 2:1 të Albiceleste në Maracana.

Sport

16/06/2014 10:16

Mesfushori i Bosnje e Hercegovinës, Haris Medunjanin e pranon se është e pamundur ta ndalësh Lionel Messin dhe se sulmuesi argjentinas mund ta ndal vetëm vetveten.

Messi e realizoi një gol të bukur në fitoren 2:1 të Argjentinës ndaj Bosnjës, në ndeshjen hapëse të tyre në Maracana të dielën mbrëma.

Medunjanin u fut në lojë në pjesën e dytë si zëvendësues dhe e pranon se do të dëshironte që Messi ta udhëheq Argjentinën drejt triumfit në Botëror.

“Është e pamundur ta ndalësh atë. I vetmi lojtar që mund ta ndal Messin është vetë Messi”, deklaroi

Medunjanin.

“Për një orë, ai ishte i qetë, por ky është Messi. Ai e pret momentin e duhur dhe kur ekipi ka nevojë për të, ngritet dhe e shfaq klasin e tij me një gol si ai ndaj nesh”, shtoi boshnjaku.

“Shpresoj që ai të mund ta fitojë Botërorin. Është i vetmi trofe që i mungon dhe nëse e fiton Botërorin, do të konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohëve”, përfundoi Medunjanin.