Vetëm Leonarda mund të kthehet

Presidenti François Hollande mirëpret kthimin Leonarda Dibranit në Francë. Një hetim qeveritar erdhi në përfundim se deportimi kishte bazë ligjore. Raporti tha se në të ardhmen çdo veprim i tillë ndaj nxënësve duhet të ndërmerret jashtë orarit të mësimit.

Lajme

19/10/2013 16:00

Presidenti i Francës, François Hollande tha sot se vajza rome Leonarda Dibrani, e cila është nxjerrë nga autobusi i shkollës dhe është deportuar nga Franca, mund të kthehet për t’i kryer studimet e saj, por pa familjen e saj.

Leonarda, 15 vjeçare, ishte përzënë nga Franca bashkë me prindërit dhe pesë fëmijët e tjerë të familjes në fillim të muajit pasi humbën betejën e tyre të gjatë për të marrë azil në Francë.

Rasti ka nxitur protesta nga grupet e nxënësve në tërë Francën, ndërsa një hetim qeveritar erdhi në përfundim se deportimi kishte bazë ligjore.

Por raporti i publikuar sot tha se në të ardhmen, çdo veprim i tillë ndaj nxënësve duhet të ndërmerret jashtë orarit të mësimit.

Familja Dibrani erdhi në Francë para pesë viteve dhe ishte duke jetuar në qytetin Levier, në rajonin Doubs, në lindje të Francës. Ata thanë se erdhën në Francë për shkak të diskriminimit në Kosovë.

“Nëse ajo bën një kërkesë, për shkak të rrethanave, dhe për shkak se ajo dëshiron ta ndjekë shkollën në Francë, ne do ta mirëpresim këtu”, ka thënë Presidenti Hollande për një kanal televiziv francez.

Por ai tha se ftesa vlen vetëm për Leonardën.

Vajza ka thënë më herët se nuk do të kthehet në Francë pa familjen e saj.

“Nuk do ta braktis familjen. Unë nuk jam e vetmja që duhet të shkoj në shkollë, janë edhe vëllezërit dhe motrat e mia”, ka thënë ajo më herët.