Vetëm demarkacioni do t’i shmang incidentet përgjatë kufirit me Serbinë

Përfaqësues të subjekteve politike në opozitë, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me prezencën ndërkombëtare në vend, dhe çështjen e kufirit ta trajtojnë në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Lajme

03/09/2014 08:58

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se vetëm demarkacioni me Serbinë u jep fund incidenteve në kufi me këtë shtet, shkruan Koha Ditore.

“Realisht incidentet janë të përsëritura, sidomos në kufirin verior, si dhe në disa fshatra të Komunës së Podujevës. Këto incidente të kohëpaskohshme ndodhin për shkak të kalimeve ilegale dhe prerjes ilegale të pyjeve. Ne disa herë e kemi rritur numrin e patrullimeve të policisë, por është e pamundur që të kihet njëzet e katër orë mbikëqyrje e vijës së gjelbër, se është territor i gjerë në atë pjesë”.

Ndërkaq, përfaqësues të subjekteve politike në opozitë, si dhe njohës të çështjeve të sigurisë, kanë thënë se institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me prezencën ndërkombëtare në vend dhe se çështja e kufirit duhet të trajtohet në dialogun me Serbinë, në Bruksel.

Muajin që shkoi në veri të Kosovës, përkatësisht në kufi me Serbinë, ka pasur përleshje të armatosura me bilanc disa të vrarë dhe të plagosur, shqiptarë dhe serbë.

Një shqiptar është vrarë dhe një tjetër është plagosur në orët e hershme të 28 gushtit në kufirin Serbi-Kosovë, në afërsi të Merdarit.