Vetëm 7 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit

Vetëm 7 për qind të të anketuarve sipas “Pulsit Publik” të UNDP-së e USAID-it janë të kënaqur me drejtimin politik aktual të Kosovës.

Lajme

30/05/2016 15:11

Këto dy organizata publikuan sot rezultatet e “Pulsit Publik” për periudhën shtator 2015-mars 2016.

Sipas këtij hulumtimi 45.7 % e qytetarëve janë shprehur të kënaqur nga puna e ish-presidentes AtifeteJahjaga që përfundoi mandatin në prill të këtij viti, kurse parlamenti ka shënuar rënie të kënaqshmërisë në krahasim me anketat e mëparshme.

Menaxheri i Projektit Atdhe Hetemi, tha se vetëm 7% e qytetarëve janë të kënaqur më drejtimi aktual politik të Kosovës.

“Gjykatat dhe prokuroria kanë shënuar rritje të kënaqshmërisë, mirëpo kemi ngritje të pakënaqshmërisë me orientimin politik tëKosovës, pothuajse 20 për qind  kanë mendim neutral për këtëçështje,” tha Hetemi.

Përkundër pakënaqësisë me drejtimin politik, sipas pulsit publik, gatishmëria e qytetarëve për t’iu bashkuar protestave për arsye politike ka rënë në 25.5 për qind.

“Ndoshta për shkak se 72.9% e qytetarëve përkrahin protestat paqësore ka rënë edhe dëshira për të protestuar”, tha Atdhe Hetemi.

Në bazë të rezultateve të pulsit, papunësia, varfëria dhe korrupsioni mbesin tri problemet kryesore të qytetarëve edhe këtë vit.

Edhe vitin e kaluar këto tri dukuri u konsideruan si probleme për vendin.

Hetemi shpjegoi se qytetarët e anketuar mendojnë se për t’u punësuar duhet të kesh lidhje.

“Qytetarët besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, lidhjet me parti janë disa nga faktorët jomeritorë që ndikojnë në papunësi, kurse si institucione më të korruptuara janë konsideruar gjykatat e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit,” sqaroi Hetemi.

Koordinatorja e programit të UNDP-së Valbona Bogujevci, tha se “Pulsi Publik” do t’u ndihmojë institucioneve për t’u përmirësuar.

“Ky raport vlen edhepër vetë institucionet që të shohin se ku kanë ngecur dhe që të përmirësohen, pasi që qytetari e ka dhënë verdiktin e vet kurse tani u takon institucioneve të fokusohen dhe të bëjnë përmirësime”, tha ajo

68.8 për qind e serbëve të anketuar e kanë përkrahur formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ku 28.8% e kanë parë këtë si vazhdim të institucioneve serbe në Kosovë.

Kurse 34.8% e shqiptarëve e kanë konsideruar asociacionin si ndarje të Kosovës, më pak të interesuar për ketë çështje kanë qenë komunitetet e tjera ku 48 % kanë thënë se kjo “nuk ka rëndësi”.

Si çështje të rëndësishme shqiptarët dhe komunitet e tjera e kanë konsideruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës kurse serbët Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënievendërmjet Serbisë dhe Kosovës. /Kallxo.com