Vetëbesimi për Votëbesim

Xhavit Haliti thotë se është e drejtë e opozitës të kërkojë mocion votëbesimi për Qeverinë. Beson se në atë seancë, deputetët s’do të mungonin - për ta kundërshtuar. Mendon se partive në koalicion s’u konvenon rrëzimi dhe nuk sheh shenja për zgjedhje të reja.

Lajme

21/09/2013 06:34

Xhavit Haliti e sheh si “imazh demokratik” atë që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës, kur seanca që udhëhiqej nga ai – u ndërpre disa herë për mungesë kuorumi dhe për rrjedhojë dështoi të marrë vendim për shitjen e PTK’së.

Për Nënkryetarin e Kuvendit, i cili vjen nga radhët e partisë në pushtet, PDK’së, ngjarja e së enjtes përshkruhet me lehtësi si “diçka që ndodh gjithkund”, ndërkohë që të tjerët atë e panë si krizë dhe çështje që vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e Qeverisë.

Në një bisedë për lajmi.net, Xhavit Haliti jep vështrimin e tij.

“Mendoj se imazhi është shumë demokratik. Çështje që ndodh gjithkund, kur nuk pajtohen pozita dhe opozita.”

“Dihet se sa vota i ka koalicioni qeveritar. Nuk është ndonjë shumicë e cila e garanton gjithmonë kuorumin. Disa deputetë të këtij koalicioni nuk kane qenë në sallë.”

“Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje paraprake mes pozitës dhe opozitës, besoj, për ta kaluar këtë çështje.”

“Opozita shfrytëzoi një moment dobësimi, do ta quaja, nga mospjesëmarrja në sallë e deputetëve, ose mosprezenca e tyre në Kosovë, i bënë llogaritë e tyre dhe ndodhi ajo që ndodhi.”

“Opozita nuk qëndroi në sallë për ta bërë debatin për privatizimin e PTK’së. Nuk u shfaqën opinione për t’ju kundërvënë privatizimit. Vendi për ta kundërshtuar një vendim të tillë është Kuvendi, e jo mediat dhe konferencat për shtyp. Ne duhet të komunikojmë përmes foltores së Kuvendit.”

Për opozitën, dështimi i seancës të së enjtes ishte shpërfaqje e qartë e krizës së Qeverisë dhe ky konstatim hapi më tej edhe temën e mocionit të votëbesimit të Qeverisë dhe përmendjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Mungesa e kuorumit për ta votuar Raportin e Komisionit Qeveritar për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK’së, sipas tyre, është shenjë e ndryshimeve që mund të ndodhin së shpejti në skenën politike të vendit.

“Është e drejtë e tyre për të bërë mocion votëbesimi”, thotë Xhavit Haliti, për lajmi.net

“Unë besoj që asnjërës prej partive që janë në koalicion, nuk u konvenon prishja e Qeverisë. Në këtë pikë, jam i bindur, të gjithë do të ishin në seancë, nëse votohet një mocion i tillë, për ta kundërshtuar.”

“Besoj që opozita nuk mund t’i bëjë votat për ta rrëzuar Qeverinë.”

“Është krejt diçka tjetër nëse Qeveria është e interesuar që ta rrëzojë vetveten. Por, nuk po duket se ka shenja për një gjë të tillë.”

A e sheh Xhavit Haliti të mundur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

“Nuk më duket e mundshme.”

“Aktualisht, besoj që nuk është as interes i tyre për një gjë të tillë. Nuk di si rezonon politikisht opozita, është çështje e tyre. Por, po them krejt si i pavarur, si Xhavit Haliti, se unë besoj që nuk u intereson ta kenë pushtetin tani për tani, ose të bëjnë zgjedhje të reja.”

Edhe vetë Grupi Parlamentar i PDK’së mendohet se ka një krizë brenda vetes, e cila nis me rebelimin e Jakup Krasniqit dhe vazhdon edhe me ndonjë deputet tjetër.

Xhavit Haliti thotë se në politikë ka shumë interesa, se në parti politike njerëzit bashkohen për shkak të interesave, se dikujt mund të mos i jenë realizuar qëllimet ose interesat, dhe se mund të ketë të pakënaqur, mund të ketë kundërshtime, e mund të ketë edhe dalje nga Grupi Parlamentar – por që nuk ka pasur deri tash ndonjë rast të tillë.

E nëse ndodh kështu, pra, të ketë dalje nga Grupi Parlamentar i PDK’së, Xhavit Haliti jep një përgjigje, që është dëgjuar shpesh nga zyrtarët e partisë në pushtet dhe e cila mund të tingëllojë pak si tepër vetëbesuese.

“Ka ndonjë parti tjetër e cila mezi pret të hyjë në koalicion.”