Veshi i maces është një mekanizëm i përkryer

Macja kjo kafshë e dashur dhe e qetë shtëpiake, është në gjendje të reagojë edhe ndaj tingujve, të cilët veshi i njeriut nuk i kap dot kurrë. Ato janë një oktavë e gjysmë mbi limitin e dëgjimit të njeriut.

Fun

13/05/2018 17:08

Ajo pothuaj gjatë tërë kohës fle me përjashtim kur ushqehet, apo është në përgjim të ndonjë miu. Macja sillet kështu sepse kërkon të izolohet nga bota që e rrethon, nga zhurmat e ndryshme, të cilat e trembin, e alarmojnë dhe e stresojnë.

Veshi i saj nuk e duron dot zhurmën, prandaj macja dëshiron të jetojë e qetë dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë, transmeton Telegrafi.

Kur nis të rrotullohet në formë rrethi, duke tundur bishtin, macja tregon se ndihet e lumtur. Ajo shtrihet në kurriz dhe provon një ndjenjë të qetë gjumi.

Vetëm kur e ndien se po i përgatisin ushqimin, ngrihet dhe vrapon për në kuzhinë. Por entuziazmi i saj meket menjëherë, kur dëgjon se pjata bie në dysheme e thyhet, apo kur një njeri i huaj troket në derë. Veshët i ngrihen vertikalisht, sytë i çakërriten gjithë tmerr dhe ajo nxiton të futet në divan.

Ajo njeh çdo lëvizje dhe çdo zhurmë të njerëzve të shtëpisë veçanërisht të atyre që kanë treguar dashuri për të. Macja njeh zhurmën që bëjnë hapat e tyre në shtëpi. Madje, dhe kjo do t’ju duket e çuditshme, por është fakt që macja është në gjendje të dallojë dhe shtypjen e ziles së dorës, kur i bien njerëzit e shtëpisë, pa i parë fare ata.

Edhe kur i zoti fut çelësin për të hapur derën, ajo e njeh që është ai. Ajo njeh madje edhe zhurmën e motorit të makinës se tij.

Të gjitha këto lidhen ngushtë me veshin e saj që është një mekanizëm i përkryer, lidhen edhe me nuhatjen e saj të hollë e të mençur, lidhen me vëmendjen e saj të veçantë, që është karakteristikë vetëm për macet.

Macja jeton në miqësi me ato njerëz, që kanë nevojë për qetësi, që të përqendrohen dhe të punojnë. Prandaj ajo pëlqen të rrijë me piktorë, me shkrimtarë, me njerëz të fesë, apo me dama të moshuara.

Duke qenë e rrethuar me të tillë njerëz të dashur, ajo mpreh shikimin dhe vëmendjen, që të mos i shpëtojë asnjë zhurmë e njohur prej saj dhe e shkaktuar nga njerëzit e shtëpisë, dhe ajo e njeh menjëherë kush e mbyll dritaren, kush mbyll valixhen, kush merr torbën për të dalë në pazar.

Ajo është e qetë dhe di t’i përgjigjet thirrjeve të qeta e dashamirëse të të zotëve të saj, apo përkëdheljeve të tyre. Macja këtyre përkëdheljeve di t’u përgjigjet me mjaullimë të ëmbël dhe disa tinguj besimtarë.

Kur i zoti i saj i flet dhe e përkëdhel, duke lëshuar tinguj të ulët dhe përkëdhelës, ajo ndjehet e lumtur. Zëri i juaj i duket i këndshëm dhe i dashur. Por kur ju e ngrini zërin, ajo menjëherë tkurret nga tmerri. Prandaj ajo parapëlqen zërat e qetë, që nga tingujt e një muzike të qetë dhome.

Njerëzit që i duan macet, në përgjithësi janë njerëz të qetë dhe kërkojnë rregull në shtëpi e qetësi. Rregulli bazë për të edukuar macet është që të mos bërtitet e të flitet me zë të lartë. Macja edukohet nëpërmjet zërit, se ajo dëgjon, nuhat dhe kupton menjëherë.

Po të ndiqni këtë metodë, macja do t’ju kuptojë gjithmonë dhe nuk do të zemërohet kurrë me ju. Por kur në shtëpi zotëron zhurma, macja zemërohet dhe çmendet fare. Se macja është një qenie paqësore.