Veseli: Zhvillimi ekonomik është prioritet i vazhdueshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendit është prioritet. Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka prioritet lehtësimin e kushteve ligjore për zhvillimin e bizneseve.

Lajme

01/08/2015 12:36

Veseli në një postim në profilin e tij, në Facebook, ka përmendur disa nga veprimet e para që ka bërë Kuvendi e të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve për bizneset kosovare.

“Nga dita e parë e mandatit të kësaj legjislature kuvendore, prioritet është zhvillimi ekonomik, krijimi i kushteve dhe lehtësirave ligjore për të zhvilluar biznes, thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional duke amandamentuar dhe sjellë ligje të reja që ndikojnë në këtë fushë, si dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit”.

“Krijimi i platformës për dialog të vazhdueshëm me Komunitetin e biznesit duke e bërë partner të fuqishëm në draftimin dhe hartimin e legjislacionit ishte ndër veprimet e para në këtë drejtim. Në bashkëpunim me USAID-in, po ashtu kemi përcaktuar një agjendë të reformave ekonomike për këtë vit duke sjellë Ligjin për kamatëvonesat, Ligjin për Kambialin, Ligjin për Fondin e Garantimit të Kredive”.

“Procedimi i Ligjeve tatimore, Largimi i tatimit në dividendë, si dhe pranimi i të gjitha shpenzimeve të trajnimit në vitin në të cilin kanë ndodhur, theksojnë përkushtimin tonë që ligji të jetë i dobishëm edhe për punëdhënësin edhe për punëmarrësin, sepse ky ligj ka ndikim në favorizimin e aftësimit të fuqisë punëtore”, ka shkruar Veseli.