Veseli vizitë zyrtare në Francë për liberalizimin e vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Francë, për të kërkuar mbështetjen e Parisit zyrtar për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Lajme

17/06/2018 13:16

Gjatë qëndrimit në Paris, kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet nga drejtues të lartë të shtetit francez.

Kryeparlamentari Veseli do të pritet në takim të veçantë nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, François de Rugy.

Në takim me homologun francez, kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe atë ndërparlamentar, ndërsa në mënyrë të veçantë për procesin e integrimeve evropiane të vendit, përkatësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Veseli, do të zhvillojë takim me kryetaren e Grupit të Miqësisë me Kosovën në Senatin francez, Marta de Cidrac, ndërsa do të priten në një takim edhe nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Asamblesë Kombëtare të Francës, Marielle de Sarnez dhe zv/kryetari i Grupit të Miqësisë në Asamblenë Kombëtare, Joachim Son Forget.

Në këtë vizitë, kryeparlamentari Veseli shoqërohet nga përfaqësues të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, nga pozita dhe opozita.