Veseli uron Kurban Bajramin, premton ndërtimin e një xhamie tek Ura e Ibrit në Mitrovicë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me disa prej ministrave ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës për festën e Kurban Bajramit.

Lajme

21/08/2018 11:30

Kryekuvendari Veseli ka thënë se këtë vit duhet të përçohet mesazhi i humanizmit, i cili i duhet Kosovës dhe njerëzve

“Falënderoj të gjithë ata imamë që po përçojnë mesazhin e drejtë për kombin tonë, mesazhin e drejtë për fenë e për humanizmin që i duhet Kosovës, kombit dhe shtetit tonë dhe i duhet gjithë njerëzisë”, tha Veseli.

Veseli pati një porosi për Myftiun Tërnava, ku i tha se bashkërisht e kanë një obligim për ndërtimin e urës së Ibrit, sepse aty ka qenë dhe aty duhet të jetë, sipas Veselit, raporton Ekonomia Online.

“Bajramin tjetër, dhashtë Zoti, që bashkërisht e kemi një obligim me myftiun, në Mitrovicë në pjesën veriore duhet të fillojë ndërtimi i xhamisë tek ura e Ibrit. Nuk jam idhtar i xhamisë si sinonime të cilat mund të jenë demostrim politik, jam kundër kësaj, jam për ndërtimin e atyre objekteve të cilat janë të kultit fetar, të besimit në Zot, që kanë qenë tradicionalisht dhe aty ku ka nevojë”, tha Veseli.

“Le ta lënë kohën e Serbisë, le të orientohemi kah rruga e paqes, mirëkuptimit, dashurisë, shtetit të pavarur e sovran që askush as nuk guxon ta prekë dhe cenojë, veç vetë nuk është mirë ta dëmtojmë”, shtoi Veseli.

Ndërsa, Myftia i Kosovës tha se gjithçka është gati për ta filluar punën për xhaminë në Mitrovicën e Veriut, vetëm kërkoi që qeveritarët t’i krijojnë mundësi për të filluar punën atje.

“Ne jemi gati, kemi projekt dhe buxhet për atë xhami. Kur të na u krijohen mundësitë për të filliar punën ne jemi të gatshëm, vetëm krijona mundësinë për të punuar atje”, tha Tërnava.